Rama i komenton raportet me Kurtin: S’kam asnjë nervozizëm, mund të flas me kënaqësi për Albinin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ku ka folur edhe për Kosovën. Në intervistë, Rama është pyetur për marrëdhëniet me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, të cilat në opinionin publik janë komentuar shumë. 

I pyetur nga Fevziu rreth burimit të “mërisë dhe nervozizmit të tij me Albin Kurtin, Rama ishte i qartë, duke thënë se nuk ka ndonjë nervozizëm me Kurtin. Debatet për këtë temë i cilësoi “muhabete koti”. Madje, ai tha se mund të flasë me kënaqësi për Kurtin.

“S’kam asnjë nervozizëm me të. Janë muhabete koti. Emri i tij u përmend vetëm një herë, dhe mund ta përmendësh disa herë dhe mund të flas me shumë kënaqësi për Albinin, sepse ka shumë gjëra Albini… Po më pyet për një çështje shumë më të madhe se Albini e se unë, për rastet ideale, të arta, historike, që ti të kapësh një tren që mendon se e ke aty gjithmonë… nuk e kap, dhe pastaj ti mbetesh dhe treni ikën… këso situatash nuk vijnë çdo ditë. Dhe për këtë arsye unë jam pasionant kur flas për këtë, sepse në ndërkohë jam shumë i informuar se çfarë dinamikash ka në anën e komunitetit euroatlantik, jam shumë i informuar se si e shohin ata, dhe pa ata Kosova e Shqipëria nuk bëjnë dot asnjë hap.” – deklaroi Rama, transmeton Klan Kosova.

Rama e komentoi edhe shikimin ndaras me Kurtin të ndeshjes së Kombëtarës së Shqipërisë kundër Çekisë. Kryeministri shqiptar theksoi se ai nuk e ka pasur informacionin se Kurti do të ishte prezent në ndeshje dhe se ai nuk merret me organizimin e protokollit.

“Unë nuk merrem me organizimin e protokollit. Kisha tre vendet që kisha vet, dhe u ula aty. Dhe në ndërkohë, në atë boksin e veçantë (protokolli nuk më ka treguar se vjen Albini) ishte jo vetëm Albini, por edhe një pjesë e qeverisë së Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, ishin atje lart.” – deklaroi Rama.

Në emision, Rama u pyet edhe për raportin e tij me Vuçiqin, të cilat raporte i cilësoi si të drejtpërdrejta.

“Raportet me Vuçiqin janë siç kanë qenë gjithmonë, raporte të drejtpërdrejta. Shkoi në Kinë sepse ishte një takim i madh që kishte me Kinën. Unë e di cili është pozicioni i Serbisë dhe cilat janë aleancat e Serbisë… ajo që nuk kuptojnë shumë njerëz që e bëjnë këtë diskutim absurd është që presidentin e Serbisë nuk e kam zgjedhur unë, dhe nuk e kam vendosur unë Serbinë atje në kufi lart matanë bjeshkëve tona, dhe unë di që paqja nuk bëhet me shokët, por me armikun dhe nëse Serbia ishte armiku i deridjeshëm dhe është sot një oponent agresiv i Kosovës, paqja me ata bëhet, jo me Itali. Nuk duhet harruar asnjë sekondë: çdo kthim mbrapa i procesit të dialogut dhe paqes, është në dem të Kosovës, jo të Serbisë. Serbia i ka marrë dëmet e veta të mëdha, të plota, sepse e ka humbur luftën. Dhe ky është një proces dinamik, dhe ata që futën 5 milionë armatime (duke iu referuar grupit terrorist serb që vranë policin Afrim Bunjaku, shën.red.) dhe që bënë atë krim që bënë, falë policisë së Kosovës morën përgjigjen më të drejtë dhe më të merituar, dhe ai proces duhet të kalojë në stadin e një hetimi të plotë, dhe në bazë të hetimit dhe fakteve, komuniteti euroatlantik duhet të ndëshkojë të gjithë ata që janë të lidhur, nëse rezultojnë të lidhur me atë ngjarje. Por në ndërkohë, marrja e flamurit të zgjidhjes, hipja në kalin e paqes, dhe lufta për t’ia marrë Serbisë në këtë udhëkryq atë që duam t’i marrim, nuk duhet lënë asnjë sekondë.” – theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *