Që nga muaji qershor i këtij viti dhjetëra pacientë që i janë nënshtruar një transplantimi të organeve, kanë mbetur në mëshirën e fatit.
Kjo pasi që ilaçi që ata marrin në baza ditore për të mbijetuar, ciclosporina generis, është në mungesë.
Ky medikament, që prej vitesh ndodhet në listën e barnave esenciale, ka mbetur pa u siguruar nga shteti. Thuhet për shkak të procedurave të prokurimit.
Ministria e Shëndetësisë, më 11 të këtij muaji ka bërë ndryshimin dhe plotësimin e listës esenciale për nivelin primar, sekondar e terciar për barnat dhe materialët harxhuese, të cila mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe ciclosporina generis ndodhet aty, por jo edhe për pacientët, raporton Kiks Kosova.
Çmimi për një pako ciclosporina generis, i cili ka 50 kapsula, është 100 euro, sasi kjo që një pacienti e merr për më pak se dy javë.
Për të rënduar edhe më shumë situatën, kompanitë farmaceutike zakonisht nuk mbajnë barna të listës esencial, për shkak të kërkesës së vogël për t’u blerë.
Këto fakte kanë bërë që pacientët kosovarë këto muaj të kërkojnë zgjidhje në farmacitë e shteteve fqinje, kryesisht Maqedonisë së Veriut, ku edhe i sigurojnë ato në tregun e zi.
Kiks Kosova ka pyetur Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës nëse ka mungesë të medikamenteve që përdorin pacientet që kanë transplantuar organet, apo veshkat, por një përgjigje konkrete nuk morëm.
Megjithëse indirekt SHSKUK-ja ka pranuar mungesën, përmes postës elektronike ata vetëm kanë treguar se tashmë kanë nënshkruar një kontratë për këtë produkt, por pa dhënë sqarim se kur do të ndodhë apo se sa kohë pati vonesa.
Një përgjigje elektronike ka ardhur edhe nga Barnatorja Qendrore, e cila edhe menaxhon barnat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Ata kanë sqaruar se kur ndodh të kenë mungesa të barnave esenciale për pacientët, ata edhe huazojnë barna apo përdorin ilaçet zëvendësuese për pacientët.
Këtë vit buxheti për këtë kategori ishte 60 milionë euro, derisa listës këtë vit i janë shtuar edhe 68 medikamente të reja.
Problemet me barnat e listës esenciale janë në vazhdimësi në Kosovë, pothuajse asnjëherë spitalet e Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk kanë arritur t’i përmbushin nevojat e tërësishme apo në 100 për qind të këtyre barnave që janë në listën esenciale.
Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.
Ministria e Shëndetësisë zakonisht fajet i hedh te procedurat e prokurimit, ankesat që bëjnë operatorët ekonomikë, të cilat ndikojnë në stërzgjatjen e këtyre procedurave. /Klankosova.tv.