U dënua fillimisht me 4 vjet e gjysmë burgim. Më pas, Apeli ia uli dënimin Hysni Gucatit 4 vjet e 3 muaj. I vdiq babai gjatë qëndrimit në Hagë. Nëna iu sëmurë, e si rezultat i këtyre dy ndodhive, Gucati erdhi disa herë në Kosovë. Ai e kreu edhe një operim si pasojë e plagëve të luftës. Në fund u lirua me kusht nga Specialja.
Kjo është një përmbledhje e shkurtër e betejës së Hysni Gucatit me drejtësinë e Dhomave të Specializuara të Hagës. Një betejë që nisi nga shtatori i vitit 2020.
Hysni Gucati bashkë me Nasim Haradinajn në disa konferenca kishin publikuar dosje të cilat kishin shkuar në zyret e veteranëve. Aty gjendeshin emra dëshmitarësh e të dhëna tjera për proceset në Gjykatën Speciale të Hagës.
Disa ditë pas publikimit, saktësisht më 25 shtator 2020, Gucati e Haradinaj u arrestuan pas një aksioni të Dhomave të Specializuara në zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës.
Të dy u dërguan në Hagë, nga ku nisi një proces gjyqësor. U dëgjuan dhjetëra dëshmitarë të Prokurorisë e mbrojtjes. U përdorën edhe shumë prova të tjera materiale.
Udhëheqësit e veteranëve u dënuan me nga 4 vjet e gjashtë muaj burgim për pengim të personave në kryerjen e detyrës, frikësim gjatë procedurës, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Megjithatë, ky vendim nuk mbeti në fuqi. Apeli ua uli dënimin Gucatit e Haradinajt, duke i dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.
Përgjatë kësaj kohe, Hysni Gucati nuk pati një periudhë të lehtë. Ai erdhi disa herë në Kosovë në vizita humanitare. Fillimisht për ta vizituar babain në gjendje të rëndë shëndetësore, i cili pas një kohe ndërroi jetë. Gjithashtu, Gucati erdhi në Kosovë për ta vizituar nënën që kishte probleme shëndetësore.
Probleme shëndetësore Gucati kishte edhe vetë. Ai e kreu një operim si pasojë e plagëve që kishte marrë gjatë luftës. Operimi i kishte zgjatur me orë të tëra.
Gjykata Supreme në anën tjetër, e la në fuqi dënimin prej 4 vjet e 3 muajsh të Apelit. Por, një lajm i mirë për Gucatin erdhi pas më shumë se 3 vjetësh. Atij, kryetarja e Gjykatës Speciale ia aprovoi lirimin e parakohshëm me kusht. Kjo pasi sjellja e Gucatit ishte e mirë, ai kishte kërkuar falje për veprat e kryera, dhe gjithashtu ishte marrë parasysh gjendja e tij shëndetësore.
Hysni Gucati u kthye në Kosovë, dhe kthimi i tij në familje u prit mes emocionesh e lotësh.
Fatin e Gucatit nuk e pati edhe shoku e bashkëluftëtari i tij, Nasim Haradinaj. Për momentin Specialja nuk ia aprovoi lirimin me kusht Haradinajt. Kjo pasi ai kishte pasur disa precedentë sic i quan Specialja, gjatë qëndrimit në paraburgim. Aktualisht, gjykata është në pritje të një raporti nga Qendra e Paraburgimit për sjelljet e Nasim Haradinajt në këtë qendër.
Lirimi i parakohshëm e me kusht është i paraparë me Rregulloren për Procedura e Prova të Dhomave të Specializuara. Aty thuhet se kushti kryesor për ta bërë një kërkesë të tillë është që i dënuari ta ketë kaluar 2/3 e dënimit. Të tjera kushte janë bashkëpunimi, sjellja në qendrën e paraburgimit, rrethanat personale, rreziku potencial nëse ulet dënimi dhe kushte të tjera.
Pikërisht për këtë temë, Gjykata Speciale e Hagës e ka edhe një Udhëzues Pune rreth lirimit me kusht. Aty, Specialja ka rënditur disa nga kushtet që duhet t’i zbatojnë të dënuarit pasi të përfitojnë nga ky lirim. Kushtet përcaktohen nga kryetarja e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe të tjerët që përfitojnë nga ky lirim nuk duhet të shfaqin deklarata lidhur me Gjykatën Speciale, të mos shkelë asnjë urdhër të Speciales, të mos bëj deklarata për dëshmitarët apo personat e tjerë që bashkëpunojnë me gjykatën dhe kushte të tjera.