Ushtria e Izraelit i nisi bombardimet dhe e rrethoi Rripin e Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit, ujit dhe karburantit dhe duke ndërprerë furnizimin me rrymë, menjëherë pasi militantët e Hamasit kryen sulme në disa qytete jugore izraelite më 7 tetor.Shpërndaje.
Rripi i Gazës, i dërrmuar nga bombardimet e pareshtura izraelite qëkur Hamasi kreu një sulm të përgjakshëm në Izrael më 7 tetor, ka nevojë për sasi të jashtëzakonshme të ndihmave humanitare, rreth 100 kamionë në ditë, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Shefi i OKB-së për Ndihma Humanitare, Martin Griffiths, tha të mërkurën për CNN se “ne duhet të fillojmë duke e futur një numër të madh kamionësh dhe të arrijmë në 100 kamionë në ditë”.
Ai shtoi se “ky do të duhej të ishte programi i ndihmave për Gazën” madje edhe para se të niste lufta dy javë më parë.
Më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në Izrael, dhe së paku 199 të tjerë janë rrëmbyer, përfshirë fëmijë, nga grupi militant Hamas dhe janë dërguar në Gaza gjatë sulmeve të 7 tetorit, sipas autoriteteve izraelite.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, që udhëhiqet nga Hamasi, tha të mërkurën se 3.478 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 12 mijë të tjerë janë plagosur në 11 ditët e fundit.
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën se do ta lejojë futjen e ndihmave humanitare në Rripin e rrethuar të Gazës përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin.
Griffiths tha të mërkurën vonë se “numër një, ne duhet të sigurohemi se mund të futemi brenda Gazës çdo ditë në mënyrë të vazhdueshme dhe besueshme”.
“Numër dy, ne duhet të jemi në gjendje të shkojmë tek civilët në mënyrë të sigurt. Ligji ndërkombëtar ekziston për një arsye”, theksoi ai.
Nuk është e qartë se kur do të fillojë dërgimi i ndihmave humanitare në Gazë.
Por, Griffiths tha se shpreson se dërgimi i ndihmave do të fillojë në dy ditët e ardhshme, duke shtuar se OKB-ja i ka rreth 14 mijë anëtarë në Rripin e Gazës të gatshëm për t’i shpërndarë ndihmat.
Griffiths nguli këmbë se ndihmat do të shkojnë të popullata civile dhe jo te Hamasi, i cili e kontrollon Gazën, shtëpinë e rreth 2.3 milionë palestinezëve.
Gjatë një vizite në Izrael të mërkurën, presidenti amerikan Joe Biden tha se Izraeli është pajtuar t’i lejojë ndihmat humanitare në enklavën e varfëruar, madje edhe derisa është duke e bombarduar atë si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në Izrael.
Izraeli, i cili i kontrollon pothuajse të gjitha pikëkalimet e Gazës, thotë se nuk do të lejojë futjen e ndihmave përmes tokës së vet “derisa të lirohen të gjitha pengjet”.
Ushtria e Izraelit i nisi bombardimet dhe e rrethoi Rripin e Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit, ujit dhe karburantit dhe duke ndërprerë furnizimin me rrymë, menjëherë pasi militantët e Hamasit kryen sulme në disa qytete jugore izraelite më 7 tetor.