Këshilltarja Lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar sërish pas sqarimit të deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, për çështjen e vizave për kosovarët.
Përmes një postimi në platformën X [ish-Twitter], Schneeberger tha se edhe nëse kishte një gabim në përkthim, përsëri mund të dëgjohet qartë kërcënimi i Macron.
“Edhe nëse do të kishte një gabim në përkthim, kombinimi i Macron-it për liberalizimin e vizave dhe kërkesat aktuale ndaj Kosovës mbetet. Edhe sikur të mos thuhej fjalë për fjalë, përsëri mund të dëgjohet shumë qartë kërcënimi i Macron: Ne ju dhamë liberalizimin e vizave dhe tani ju duhet të përmbushni kërkesat tona. Pasoja e mospërmbushjes u komunikua kështu shumë qartë mes rreshtave”, shkroi ajo.
Diplomatja evropiane tha se sërish u paralajmëruan pasoja vetëm për Kosovën dhe asnjëherë për Serbinë.
“Dhe përsëri, bëhet fjalë vetëm për Kosovën dhe asnjëherë për Serbinë, e cila nuk ka interes të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes. Vuçiq aktualisht është duke lidhur kontrata me Kinën. Politika e zbutjes ndaj Vuçiqit dhe përpjekja për ta lidhur atë më shumë me BE-në dhe për ta distancuar nga Rusia dhe Kina ka funksionuar vërtet mrekullisht. A jeni i kënaqur tani?”, shkroi më tej ajo.