Këshilltarja e kryeministrit shqiptar Edi Rama, Odeta Barbullushi komentoi deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron nga Tirana, ku njoftoi se vendi i tij mund të pezullojë procedurën që parashikon lëvizjes e lirë të shtetasve të Kosovës në Evropë, nga 1 janari i 2024-ës.
“Dua ta them një gjë shumë qartë. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”, ishte deklarata e Macron për të cilën Barbullushi nënvizoi se ishte “presion shumë i qartë e sinjal politik i fortë” i dhënë nga kreu i Elizesë.
Ajo më tej shpjegoi edhe rrugët teknike që presidenti francez Emmanuel Macron do t’i duhet të ndjekë për të pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Përkthimi më i saktë i asaj çfarë tha Presidenti francez ishte politika e kushtëzimit. Që të dy vendet kanë marrë angazhime të cilave duhet tu përmbahen. Dhe çdo premtimi që BE u ka dhënë, sidomos me liberalizimin e vizave është e kushtëzuar me plotësimin e këtyre angazhimeve”, deklaroi barbalushi.
“Nga ana teknike liberalizimi i vizave është një vendim i marrë që pritet të vihet përfundimisht në jetë në janar të vitit që vjen. Sigurisht ka pasur dhe raste të mëparshme, dhe nuk është aspak e pamundur të thuash që një vend anëtar mund ta kërkojë këtë [anulimin e vizave]. Fillimisht kërkesa duhet të kalojë në Komisionin Europian. Të merren parasysh arsyet e dhëna nga vendi anëtar për kërkesën për pezullim të vizave, ose vendimit të vizave për një vend, por më pas do të shkojë kërkesa në Këshillin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo është ana teknike“, deklaroi tutje Barballushi.