Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën në Radion Evropa e Lirë në Pragë, që përqendrohet në mbulimin e temave që kanë të bëjnë me BE-në dhe NATO-n, tha se nuk ka një mekanizëm në BE që mund të zhbëjë një vendim të tillë.
“Faktikisht, ju duhet të krijoni një ligj të ri për të zhbërë atë vendim [për liberalizimin e vizave për Kosovën] dhe askush nuk e ka iniciuar një gjë të tillë. Kjo është diçka që do të duhej të kalonte nëpër të gjithë mekanizmat dhe ne jemi në muajin tetor tani dhe liberalizimi i vizave është caktuar të hyjë në fuqi më 1 janar. Pra, nëse flasim teknikisht, në aspektin politik është diçka e pamundur”, tha ai për REL-in.
Jozwiak tha se pezullimi i vizave mund të nxitet bazuar në të dhëna konkrete të një sërë gjërash, zakonisht që lidhen me një numër të lartë të azilkërkuesve për shembull që vijnë nga Kosova, nëse procesi i riatdhesimit nuk funksionon…
Njohësi i Integrimeve Evropiane, Shasha: Franca ka zero mundësi në mënyrë unilaterale të pezullojë vizat
“Ju duhet pak kohë kur keni liberalizimin e vizave në mënyrë që të inicioni pezullimin e vendimit. Nuk mund të bëhet kjo më 1 janar sepse çfarë të dhënash mund të keni? Kjo lidhet me gjëra shumë specifike për të parandaluar që njerëzit të mos e keqpërdorin liberalizimin”, theksoi ai.
Jozwiak e vlerësoi deklaratën e Macronit më shumë si një “shantazh emocional”.
Ndërkaq, gjatë konferencës për media në Shqipëri, presidenti francez tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.
“Është përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha Macron.
Presidenti francez iu referua sulmeve të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur.
Kosova ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, por kjo e fundit ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu po kërkon nga Bashkimi Evropian që të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.