Liderët e Bashkimit Evropian (BE) bënë thirrje të hënën në Tiranë që të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian. Gjatë një samiti njëditor të Procesit të Berlinit, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se “është shumë e qartë se 20 vjet pasi këtyre vendeve iu premtua pranimi, kjo duhet të ndodhë shumë shpejt”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se samiti dërgoi një mesazh të fuqishëm për përkushtimin e BE-së për zgjerim dhe se qasja në tregun e brendshëm duhet të rritet, por kjo kërkon edhe reforma, sipas saj.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnjë e Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në.
Gjatë punimeve të samitit, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ka ardhur koha që premtimi për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbahet.
Gjatë samitit të Procesit të Berlinit në të cilin, përveç prezantimit të një pakoje të re të investimeve nga Bashkimi Evropian, u diskutua edhe për sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator.
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Buanjku, si dhe tre sulmues serbë, u dënua përsëri nga Bashkimi Evropian përmes presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe nga kancelari Scholz.
Duke folur pas samitit, Leyen u pyet nëse do të ketë sanksione ndaj Serbisë në lidhje me ngjarjet e muajit të kaluar.
“Duhet të ketë një hetim të plotë që më pas ne të kemi një qëndrim. Ne po presim të dhënat e hetimit dhe të do të vendosim më pas”, tha ajo.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës” gjatë sulmit përgjegjësinë për të cilin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i deriatëhershëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Serbia i ka mohuar akuzat.
Ndërkohë, Scholz tha se “duhet një hetim i plotë që të bëhet nga autoritetet në Kosovë dhe Serbia duhet të bashkëpunojë për këtë hetim të rëndësishëm.”
Ai iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të shikojnë “drejt të së ardhmes, jo me sytë tek e kaluara”, dhe t’i zgjidhin problemet para se të bëhen pjesë e BE-së.
“Nuk mund të merrni me vete këto probleme. Vullneti i qeverisë sime edhe BE-së është për të zgjidhur njëherë e mirë konfliktin Kosovë-Serbi”.