Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka sqaruar vonesën për të dalë në foton e prëbashkët në Samitin BE – Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Bërnabiq e pyetur nga gazetarët ka reaguar me nervozizëm, duke thënë se ishte prezente në foto, dhe se u vonua pak, pasi kishte pasur takime.
“Nuk janë këto më dezinformata, janë gënjeshtra haptazi. Jam në foto. Qeveria e Serbisë ka publikuar foton e Samitit, unë jam aty. Nuk ka treguar asnjë njeri kur do të dalim në foto. Jam në fotografi, kam pasur takime, kam dal pak me vonesë, por kam qenë aty”, ka thënë Bërnabiq.
Ajo ka treguar se në Tiranë ka pasur takime me krerë të shteteve të BE-së e po ashtu edhe me ministrin e Jashtëm të Britanisë, James Cleverly.
Bërnabiq ka thënë se të gjithë kanë thënë se “duhet deeskalim, të kthehemi në dialog”.
Ajo ka thënë se “Serbia është e gatshme të kthehet në dialog, siç ishte edhe në Granada”, por thotë se pala kosovare ka refuzuar dialogun.
Sa i përket Procesit të Berlinit ka thënë se është shumë i mirë për rajonin. Dhe është e lumtur se do të nënshkruhet edhe një marrëveshje.
Për vizitën e “pesëshes së madhe” në Beograd më 21 tetor, Bërnabiq ka thënë se nuk pret diskutime të lehta.
Por, ajo thotë se edhe në Tiranë është thënë qartë se “duhet themelimi i Asociacionit”.