Ekskluzive: Hajnat bëjnë kërdi në shtëpinë e Mozzikut, vjedhin 100 mijë euro para cash dhe stoli në vlerë të 200 mijë €

Cak i hajnave, të cilët po bëjnë kërdi gjithandej nëpër shtëpi e banesa, madje edhe në lagje luksoze, duke shkaktuar humbje e pasiguri të madhe kanë rënë edhe emra të njohur të estradës sonë. Rasti i fundit është raportuar mbrëmë në Ferizaj, ku viktimë është reperi Gramoz Aliu, i njohur si Mozzik, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shtëpia e Mozzikut, që gjendet në lagjen luksoze “Panorama” në Ferizaj është thyer dhe është bërë qyl mbrëmjen e së shtunës.

Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive se çka arritën të “avullojnë” hajdutët në shtëpinë e Mozzikut, i cili njihet si një ndër rep-artistët më të pasur.

Siç thonë të njëjtat burime, hajnat kanë arritur të depërtojnë brenda shtëpisë së Mozzikut dhe të kapin hiç më pak se 100 mijë euro para të gatshme. Për të mos mbaruar me kaq, të dyshuarit kanë vjedhur edhe stoli të ndryshme, vlera e të cilave dyshohet se arrin në 200 mijë euro.

Me plan të detajuar për të marrë paratë e të gjitha gjësendet me vlerë, hajnat arritën që t’i gjejnë edhe armët që i posedonte reperi, duke i vjedhur mbi 10 prej tyre – të llojeve të ndryshme.

I gjithë rasti është raportuar nga vet reperi, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, mbrëmjen e së dielës – pasi u kthye në shtëpinë e tij dhe e kuptoi se ishte cak i vjedhjes.

Hetimet për këtë rast tashmë kanë nisur me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërkohë që janë siguruar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë, që do të ndihmojnë në kapjen e autorëve.

Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Ferizaj.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në brendi të shtëpisë së tij, ku nga aty kanë vjedhur disa lloje të armëve, para dhe stoli ari. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme hetimore.”

Sinjali do të iu mbajë te informuar për detajet e reja të rastit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *