Filloi ‘Java Ndërkombëtare e Njeriut me Shkop të Bardhë’. Fillimin e kësaj jave e kanë shënuar të dielën përmes një konference për media, Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit bashkë me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës.
15 Tetori, Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, simbolizon përpjekjet e qytetarëve të verbër për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe të drejtave të tyre, raporton RTKlive.
Me këtë rast, drejtori i Zyrës për qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së kryeministrit, derisa foli për punët që qeveria po bën për personat e verbër tha se mbetet ende punë për tu bërë duke përmendur se, Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka sintezë vokale në gjuhën shqipe.
Halil Kurmehaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit, ka bërë të ditur se për herë të parë në vendin tonë, me ligjin e ri, personave me aftësi të kufizuara iu është mundësuar të punësohen. Kurmehaj po ashtu tha se nga ky vit do të fillojnë edhe praktikë me pagesë për këtë kategori.
Kurse kryetari i Shoqatës së të verbërve të Kosovës, Daut Tishuki foli për aktivitetet që do të organizohen në kuadër të Javës së Njeriut me Shkop të Bardhë”.
Çdo vit më 15 tetor me qëllim të ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe institucioneve përgjegjëse organizohen aktivitete të ndryshme, ku njëra nga to është edhe Marshimi i personave të verbër me simbolin e shkopit të bardhë duke kërkuar më shumë integrim në shoqëri dhe mundësi të barabarta.