Lajmi që Hysni Gucati është liruar nga Gjykata Speciale e ka gëzuar edhe familjen e tij, por ata vazhdojnë të jenë në ankth. Kjo pasi Dhomat e Specializuara akoma nuk ua kanë konfirmuar një gjë të tillë atyre, e as mediave.
Lajmi i lirimit të parakohshëm të tij bëri bujë të madhe, pasi u konfirmua nga udhëheqësi aktual i veteranëve, Faton Klinaku.
Por, të shtunën, ai i ka thënë Dukagjinit se nuk do të komentojë asgjë përpara se Specialja të dalë me një vendim zyrtar.
Ndërsa Specialja, as nuk e ka pohuar por as mohuar lirimin.
Megjithatë, tek shtëpia e Gucatit ndihet një qetësi e jashtëzakonshme.
Hyrje-dalje nuk ka, e miqtë e familjarët akoma nuk janë drejtuar për aty, pasi ekziston ndrojtja se asgjë nuk është e sigurt.
Familjarët e ngushtë thonë se gëzimin nuk e kanë të plotë, pasi moskonfirmimi po i lë në ankth.
Teksa tregojnë se kërkesën për lirim të parakohshëm e kanë bërë qe një kohë, ata besojnë se vendimi ka ardhur për shkak të gjendjes shëndetësore të Gucatit, e cila i është rënduar herë pas here.
Mundësinë e lirimit, familjarët e kanë marrë vesh nga avokatët, të cilët sipas tyre, nuk u kanë dhënë garanci.
Hysni Gucati ishte arrestuar shtatorin e tri viteve më parë, bashkë me Nasim Haradinaj, ku u akuzuan për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Të dy janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim.