“Burdushi” rri në liri, nuk e respekton vendimin e gjykatës për vuajtje të dënimit me burgim

Hysri Peqani, i njohur me si “Burdushi”, edhe përkundër refuzimit të kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vite e gjashtë muajsh burgim nga kryetari i Gjykatës së Apelit, i njëjti ende nuk është paraqitur për vuajte të dënimit.

Burimet e “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se Peqani vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e tij dhe se i njëjti nuk po vuan dënimin me burgim.

Ndërkaq, mbrojtësi i Peqanit, avokati Feim Alaj ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se i kanë shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore për shtyrje të vuajtjes së dënimit me burgim.

Ai ka thënë se Peqani ka një terapi intensive të përshkruar nga mjekët për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Po ashtu ka provuar të kontaktojë edhe me “Burdushi” mirëpo i njëjti ka qenë i paqasshëm.

“Burdushi” ishte dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim me 10 janar 2023 nga Gjykata Themelore në Prishtinë  lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Fillimisht kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Rama-Shabani kishte refuzuar kërkesë e mbrojtësve të Peqanit për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burgim, pastaj mbrojtësi ndaj këtij vendimi kishin parashtruar ankesë te Kryetari i Apelit Valon Totaj.

Edhe kryetari i Apelit, Totaj kishte refuzuar kërkesën e  njëjtë të Peqanit dhe se pas këtij vendimi Burdushi nuk është lajmëruar për vuajte të dënimit edhe pse ka për obligim ligjor.

“Betimi për Drejtësi” ka marrë përgjigje nga Gjykata Themelore e Prishtinës, konkretisht nga Zyra për Ekzekutimin e vendimeve gjyqësorë të cilët janë arsyetuar se mbrojta e Peqanit ka parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për në Gjykatën Supreme. Andaj sipas tyre duhet pritur deri në një vendim të Supremes.

Mirëpo ish-kryetari i Supremes profesori Fejzullah Hasani tha për “Betimi për Drejtësi” një mjet i tillë juridik nuk lejohet në procedurën e ekzekutimit të dënimi për në Gjykatën Supreme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *