Ushtruesi i detyrës së kryetari të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se ish-kreu i organizatës së veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, është liruar nga burgu me një vendim të Gjykatës Speciale të Kosovës.
“E di prej dje ashtu siç më kanë treguar avokatët se është marrë vendim për lirimin e Gucatit dhe pritet të vijë javën e ardhshme. Ndërkohë, për Nasim Haradinajn nuk është marrë vendim pozitiv, pritet shqyrtim tjetër pas dy tre muajve, më gjerësisht nuk di, sepse pritet vendimi zyrtar”, ka thënë ai.
Gjykata Speciale, në një përgjigje për portalin Dukagjini, nuk e ka pohuar apo mohuar këtë vendim, duke thënë vetëm se nëse ky vendim merret dhe nxirret si vendim publik, do të jetë në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Nëse dhe kur nxirret një vendim publik për këtë çështje, ai do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të KSC-së”, ka thënë Gjykata Speciale.
Në muajin maj të vitit 2022, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, dhe me një gjobë prej 100 eurosh.
Në dënim ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.