Kosova po planifikon që vilën e Millan Radojiçiqit, që ndodhet buzë Liqenit të Ujmanit, ta kthejë në stacion të Policisë së Kosovës. Propozimi është i Ministrit Xhelal Sveçla. Por, para se të bëhet kjo, janë disa procedura që duhet ndjekur. Meqë villa është e ndërtuar në pronën që i përket Agjencisë Pyjore, fillimisht kjo pronë duhet t’i kalojë Ministrisë së Punëve të Brendshme. A do ta lejojë këtë Ministri Faton Peci?
Flasin nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Bastisjet e kryera në veri pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, zbuluan për publikun vilën e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojiçiq, buzë Liqenit të Ujmanit. Pronat e Radojiçiq ishin cak i bastisjeve pas pamjeve që publikoi Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku dëshmohej përfshirja e tij në sulmin e 24 shtatorit.
Për këtë vilë, Sveçla ka thënë se është e ndërtuar ilegalisht në pronë të shtetit. Ideja e Ministrit është që e njëjta të kthehet në stacion për Policinë e Koosvës, saktësisht për njësitin e barkave në Departamentin e Kufirit. Ide të tillë ka dhënë edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi. Për t’u bërë kjo, janë disa hapa që duhet ndjekur.
Toka ku ndodhet vila i përket Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe që të mund të shfrytëzohet objekti nga Policia, fillimisht prona duhet t’i kalojë në pronësi Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për t’u realizuar kjo, Sveçla ka thënë se është në bisedime me Ministrin Faton Peci.
Bazuar në përgjigjet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duket se edhe Peci e përkrah idenë që vila e Radojiçiqit dhe objektet e tjera përcjellëse të shfrytëzohen nga Policia.
Nga MPBRZH i kanë thënë Gazetës Express se si Qeveri po koordinojë veprimet institucionale që vila e Radojiçiq të vihet në funksion të organeve të rendit dhe sigurisë.
“Si Qeveri po koordinojmë veprimet institucionale me qëllim që pronat e ndërtuara ilegalisht në pronë të shtetit përkatësisht të Agjencisë Pyjore të Kosovës e në këtë rast konkret Vila e Radojçiqit, të vihet në funksion të organeve të rendit dhe sigurisë”.
Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me atë se kur do të mund të jetë i gatshëm objekti për shfrytëzim dhe a ka pajtim, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.
Lidhur me pronat e Radojiçiqit ka folur para disa ditësh edhe Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Thomas Szunyog. Ai është pyetur nëse BE do t’i mbështes institucionet e Kosovës “për të filluar operacionet apo konfiskimin e pronës së Milan Radojiçiq, nëse kjo është pjesë e punës së tyre”.
Szunyog ka thënë se nëse Gjykata vendos se ai është fajtor dhe se arrihet në përfundim se kjo duhet të bëhet atëherë këtë duhet ta bëjnë autoritetet përkatëse.
“Unë mendoj se duhet të ndjekim procedurat e duhura dhe institucionet e sundimit të ligjit. Dua të them, nëse ka një dëshmi të besueshme, ajo duhet të shkojë në gjykatë. Nëse gjykata vendos se dikush është fajtor, dhe meqë ra fjala, në Kosovë është një ligj i mirë që nga viti 2018 për konfiskimin penal të pasurisë. Nëse kjo arrihet në përfundim të gjykimit se kjo duhet të bëhet dhe këtë e bëjnë autoritetet përkatëse, duke përfshirë edhe gjykatat atëherë ky është sundimi i ligjit”, ka deklaruar Szunyog në “Kallxo Përnime”
Ku kanë arritur hetimet lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit?
Hetimet lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, ku u vra edhe Rreshteri Afrim Bunjaku, po vazhdojnë. Detaje rreth ecurisë së tyre nuk kanë pranuar të ndajnë as Policia e Kosovës e as Prokuroria e Shtetit.
Në pyetjet e gazetës lidhur me numrin e terroristëve të identifikuar deri tash dhe ecurinë e hetimeve, Policia ka thënë se rasti po trajtohet në koordinim me Prokurorinë, por detaje tjera s’mund të ndajnë në këtë fazë.
“Lidhur me ngjarjet në Banjskë të datës 24 shtator, janë lëshuar komunikata, janë mbajtur konferenca për shtyp, janë ekspozuar dëshmitë e konfiskuara… Rasti është duke u trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë (Prokurorinë e Shtetit), andaj në këtë fazë nuk mund të jepen më shumë të dhëna lidhur me ecurinë e hetimeve”, thuhet në përgjigjet e Policisë për Express.
Përgjigje të ngjashme ka kthyer edhe Prokuroria Speciale.
“Ju njoftojmë se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japim asnjë informatë më shumë”, ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.
Rrjedha e këtyre hetimeve do ta përcaktojë edhe atë të dialogut, meqë Kosova ka kushtëzuar kthimin në Bruksel me sanksionimin e Serbisë.
“S’ka arsye për t’u takuar pa u miratuar sanksione ndaj Vuçiqit. Sanksionet fillimisht, pastaj flasim për të tjerat“, ka deklaruar Presidentja Vjosa Osmani, para një jave nga Granada e Spanjës.
BE’ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur për hapat e ardhshëm në dialog, ndërkohë që Serbisë i ka kërkuar bashkëpunim të plotë.
“Por nuk do të hyj në detajet e hetimit, sa persona janë të dyshuar e kështu me radhë. Dua të përsëris mesazhin e qartë të BE-së – nevojitet bashkëpunim i plotë dhe i pakushtëzuar, jo vetëm nga Serbia, por nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë në hetim, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të gjithçkaje, çfarë ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë në të, kush organizoi. Në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë se çfarë të bëjë kur është fjala për qasjen tonë ndaj Kosovës, Serbisë, dialogut dhe rajonit”, ka deklaruar zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.
Ndërkohë, Ambasadori i ShBA’së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se ekspertët dhe analistët e saj po i nxjerrin konkluzionet e tyre për atë se kush qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit.
Ai ka folur edhe rreth pasojave eventuale për Serbinë dhe kërkesën e Kosovës që ajo të sanksionohet nga bashkësia ndërkombëtare.
“Sa i përket pasojave për Serbinë, mund të them vetëm këtë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për kërkesat e Republikës së Kosovës. Siç e thamë, këto janë çështje serioze, dhe çështja se çfarë ndodhi më 24 shtator, analistët tanë dhe ekspertët tanë po nxjerrin përfundimet e tyre, por ne ndoshta kemi standarde pak më të ndryshme nga ato që ka qeveria e Kosovës për marrjen e vendimeve përfundimtare për atribuimin ose përgjegjësinë.”
Emisari i BE’së për dialogun, Mirosllav Lajçak, javën e kaluar duke e komentuar faktin që Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk u takuan në Spanjë, tha se ata që dialogojnë janë Kurti e Vuçiq.
“Nuk ka dramë rreth kësaj. Partnerë për dialog janë Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuciq. Ata janë njerëzit…natyrisht është gjithmonë mirë kur ka takim por duke i pasur parasysh rrethanat nuk do ta mbivlerësoja faktin se kësaj here s’pati takim. Gjithmonë është mirë që të kesh takim të mirë…” ka thënë Lajçak.
Ndryshe, sipas Kodit të Procedurës Penale, hetimi përfundon brenda dy viteve.
Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, “gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit.”/Gazeta Express