Grabitja e armatosur në Prizren/ Plan i hajnave për të hyrë njëri prej tyre si konsumator

Katër personat e dyshuar për grabitjen e armatosur që ndodhi më 12 qershor, në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren, u arrestuan pas një aksioni të Policisë të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, në disa fshatra të kësaj komune. Sinjali raportoi ekskluzivisht se cilët janë personat e dyshuar, të cilët tashmë janë ndaluar për 48 orë.

Pas publikimit të artikullit për kapjen e tyre, në adresë të redaksisë kanë ardhur pamje nga momenti që i parapriu grabitjes, si dhe një fotografi e të dyshuarit, që i kërcënoi me armë punëtorët e marketit, me ç’rast u vodhën 600 euro nga arka.

Në këto pamje shihet se si të dyshuarit kishin planifikuar që njëri prej tyre fillimisht të hynte në market si konsumator, ku blen një produkt që gjendet te arka, e paguan dhe largohet nga lokali. Më pas hyjnë dy të dyshuarit, të cilët, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar vjedhin paratë dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Të dyshuarit që u prangosën lidhur me këtë rast, sipas burimeve brenda Prokurorisë janë Sefer Krasniqin, Luan Bytyqin, Drilon Saramati dhe Gzim Pulaj, të moshave të reja. Ata u arrestuan pas më shumë se një muaji qëndrimi në arrati

Arrestimi i tyre erdhi pas bastisjeve që u kryen në lagjen ‘Bajram Curri’, Dobrusht dhe Vlashnje, gjatë ditës së premte. Përveç që u kapën të dyshuarit, Hetimet Rajonale kanë gjetur prova që dëshmojnë përfshirjen e tyre në rast.

Gjatë aksionit që u zhvillua në këto lokacione, Sinjali mëson se u gjetën veshmbathjet e të dyshuarve, të cilat i kanë pasur të veshura gjatë kryerjes së grabitjes dhe ndërlidhen me pamjet e siguruara për rastin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *