Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar sot senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.
Pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast kanë treguar se kanë diskutuar rreth agresionit të 24 shtatorit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit.
Në fjalën e saj, senatorja Jeanne Shaheen, ka thënë se përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim.
Ajo ka theksuar se me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së mund të gjendet zgjidhje për paqe afatgjate në Kosovë.
“E dimë që është shqetësuese ngjarja për gjithë qytetarët, e çmoj numrin e rritur të ushtarakëve në KFOR. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin përgjegjësinë, shpresoj qe Serbia të bashkëpunojë në këtë çështje. Për një stabilitet dhe paqe në Kosovë ka mundësi për të vazhduar me mbështetjen e Evropës dhe SHBA-së që të gjendet një bashkëjetesë afatgjatë paqësore me Serbinë”, është shprehur ajo.
Shaheen ka vënë theksin te rëndësia që të ruhet stabiliteti në rajon për të mos pasur konflikt.
“Populli i Kosovës e kupton mirë se pse konfliktet dhe dhuna nuk janë zgjidhje për dallimet tona, dhe është e rëndësishme që të gjithë të bëjmë krejt çka mundemi për një zgjidhje paqësore në këtë rajon për tu siguruar që të mos ketë përhapje të dhunës dhe konfliktit nga ky rajon. Pra jemi këtu për ta mbështetur Kosovën, shtet që SHBA-ja e ka mbështetur me krenari për vite”, ka deklaruar Shaheen.