Hovenier: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit rrit shkallën e sigurisë së Kosovës

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës, të cilën e cilësoi të brishtë pas ngjarjeve të 24 shtatorit.

Ambasadori Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa pasi të vërtetohet se kush qëndron prapa atij sulmi që u krye nga individë të cilët kishin armë që nuk mund të blihen në tregun lokal por duhet një formë strukture shtetërore që t’i ofrojë ato. Ambasadori Hovenier, ritheksoi kërkesën që Serbia të bashkëpunojë për ndriçimin e plotë të ngjarjeve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Ambasador, më shumë se dy javë nga sulmi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, si e vlerësoni situatën e sigurisë në këtë vend?

Jeff Hovenier: Situata e sigurisë mbetet diçka për të cilën jemi shumë të shqetësuar dhe Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë ndërmarrë hapa sepse ne ishim thellësisht të shqetësuar për atë që ndodhi në Banjskë dhe më gjerësisht për situatën e sigurisë në veri. Siç mund ta keni dëgjuar dje gjatë ndërrimit të komandës së KFOR-it, admirali Munch, komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, bëri të ditur se nga 24 shtatori, NATO-ja ka trefishuar numrin e patrullimeve. Këshilli i Atlantikut të Veriut mori vendim për të rritur ndjeshëm numrin e forcave të KFOR-it. Ne e marrim këtë seriozisht. Situatën aktuale do ta karakterizoja si të brishtë, por të qetë apo më të qetë. Por ju e dini, ka një brishtësi dhe ne jemi shumë të përqendruar për të ndihmuar menaxhuar situatën dhe të përpiqemi të shmangim incidente të tjera që mund të çojnë në dhunë e që do të ndikonin, do të kërcënonin popullsinë civile atje, por edhe forcat e ligjshme të sigurisë atje, policinë e Kosovës dhe sigurisht edhe praninë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Ambasador, që në fillim thatë se në sulm nuk përfshihej ndonjë grup spontan i qytetarëve që nuk janë të kënaqur me diçka, por ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Çfarë mendoni ju? Kush ishte organizatori dhe trajneri i atij grupi?

Jeff Hovenier: Së pari mendoj se është e rëndësishme të flasim për atë që dimë dhe atë që ende po përpiqemi të kuptojmë. Dhe ka disa gjëra që ne i dimë. Siç më cituat më parë e dimë se ky grup individësh nuk ishte spontan. Këta individë, të gjithë serbë etnikë me sa dimë, kishin qasje dhe posedonin armë të sofistikuara qëKëta individë, të gjithë serbë etnikë me sa dimë, kishin qasje dhe posedonin armë të sofistikuara, që nuk mund t’i blini në tregun lokal. Ju duhet një lloj strukture, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron.

nuk mund t’i blini në tregun lokal. Ju duhet një lloj strukture, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron. Ne e dimë se pjesa më e madhe e materialit që ata lanë pas, ishte me origjinë serbe. E dimë se një individ, z. Milan Radoiçiç, i cili ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe, bëri një deklaratë publike përmes avokatit të tij duke marrë përsipër përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte marrë pjesë në të. Këto janë gjërat që ne i dimë tani dhe po përpiqemi të kuptojmë më shumë. Ne e dimë se kjo nuk mund të ndodhte vetëm spontanisht. Pra, siç e kam thënë edhe më parë, pas kësaj kishte struktura ose organizata. Ajo që ne ende po përpiqemi të kuptojmë është saktësisht se si funksionoi.

Zëri i Amerikës: Më lejoni, ambasador, nëse armët janë me origjinë nga Serbia dhe ne kemi një personazh publik që mori përgjegjësinë, pra Milan Radoiçiç. A nuk është ky argument se Serbia qëndron pas sulmit?

Jeff Hovenier: Ka shumë njerëz që e thonë këtë. Kam dëgjuar shumë zyrtarë në qeverinë e Kosovës ta thonë këtë në veçanti. Ne duam të jemi shumë të kujdesshëm përpara se të bëjmë përcaktimet përfundimtare të asaj që ne e quajmë atribuim, për t’u siguruar që e kemi kuptuar saktësisht. Por, siç thashë, ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe po punojmë me miqtë tanë në qeverinë e Kosovës dhe gjetkë për ta kuptuar më mirë këtë.

Zëri i Amerikës: Udhëheqësit e Kosovës thonë se ky ishte një sulm agresioni i Serbisë ndaj Kosovës dhe kërkojnë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. A mund të ketë masa të tilla nga Shtetet e Bashkuara?

Jeff Hovenier: Një nga gjërat që kam thënë, një nga gjërat që ka thënë sekretari Antony Blinken dhe të tjerët, është se ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal, ata që janë përgjegjës për ekzekutimin e tij, ata që janë përgjegjës për planifikimin e tij, ata që janë përgjegjës për sigurimin e mbështetjes për të, duhet të mbahen përgjegjës. Dhe ndërsa kuptojmë se kush është përgjegjës, ne besojmë se ata duhet të mbahen përgjegjës. Ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Serbisë që të marrë pjesë plotësisht në këtë hetim dhe të kërkojë llogari nga njerëzit atje. Natyrisht, ne mbështesim përpjekjet e autoriteteve të Kosovës këtu në sistemin e tyre gjyqësor për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës. Kështu që nuk përjashtoj veprimet në të ardhmen. Ne jemi ende duke parë për të kuptuar se çfarë ndodhi, por ne do të marrim vendime se çfarë hapash duhet të ndërmarrim ndërsa arrijmë në përcaktimet tona përfundimtare për përgjegjësinë. Por, të mos ketë mëdyshje, ata që janë përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm dhe vrasjen e një punonjësi policie duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi.

Zëri i Amerikës: Por ne kemi z. Radoiçiç që doli dhe tha se është përgjegjës për këtë sulm, por ai u lirua shumë shpejt nga autoritetet serbe. Gjykuar nga kjo, si mund të llogarisni në Serbinë se do të bashkëpunojë për zbardhjen e ngjarjes dhe për të vënë autorët para drejtësisë?

Jeff Hovenier: Unë mund të flas vetëm për pikëpamjen dhe qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të cilën ia kemi shprehur publikisht qeverisë së Serbisë. Pra, ky ishte një krim, ishte një kërcënim për sovranitetin dhe qëndrueshmërinë e rajonit, kërcënoi qytetarët e Kosovës, kërcënoi edhe paqeruajtësit ndërkombëtarë në rajon. Dhe ne besojmë se ata kriminelë të përfshirë në këtë duhet të mbahen përgjegjës. Dhe ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Serbisë që të luajë një rol për t’u siguruar që kjo të ndodhë. Nuk mund të flas për veçantitë e një vendimi gjyqësor në lidhje me arrestin shtëpiak. Me sa kam kuptuar zoti Radoiçiç është arrestuar dhe akuzohet për disa krime shumë të rënda. Pritjet e qeverisë sime janë se ai do të mbahet përgjegjës për ato krime.

Zëri i Amerikës: Por ai është i lirë….?

Jeff Hovenier: Me sa kam kuptuar ai është në arrest shtëpiak, subjekt i një procesi penal.

Zëri i Amerikës: A jeni gati të merrni masa ndaj Serbisë nëse nuk bashkëpunon me drejtësinë?

Jeff Hovenier: Ky nuk është një vendim që do ta marr si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ky është një vendim që do të marrë qeveria ime. Por, më lejoni të them përsëri, ne besojmë se përgjegjësit për këtë krim duhet dhe do të mbahen përgjegjës.

Zëri i Amerikës: Ambasador, shumë në Kosovë shprehin shqetësimin se pa masa ndaj Serbisë mund të përsëriten veprime të ngjashme si ky i 24 shtatorit. A jeni i shqetësuar për këtë mundësi?

Jeff Hovenier: Jemi të shqetësuar për çdo veprim që do të destabilizonte situatën në veri. Jemi të shqetësuar për çdo veprim që rezulton në individë të armatosur dhe të trajnuar që veprojnë në një mënyrë që është në kundërshtim me rendin ligjor. Ne besojmë se ky është territor sovran i Kosovës. Besojmë se autoritetet e Kosovës kanë përgjegjësinë për të zbatuar ligjin. Pra, ne e marrim atë shumë seriozisht.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, vëzhguesit ndërkombëtarë, veçanërisht disa analistë amerikanë, thonë se Uashingtoni dhe natyrisht Brukseli ishin shumë të ashpër në qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, por jo mjaft të ashpër ndaj Serbisë. U deshën vetëm disa orë për të vënë disa sanksione kundër Kosovës për shkak të tensioneve në veri, por ne nuk kemi asnjë masë ndaj Serbisë tani, pas 24 shtatorit?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *