Bekim Jashari: Edhe unë jam fajtor nëse dy ish-zyrtarët e aeroportit dalin fajtorë për keqpërdorim të gati 2 milionë eurove

Dëshmitari Bekim Jashari ka thënë se nëse dy ish-zyrtarët e Aeroportit “Adem Jashari” – Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj – shpallen fajtorë atëherë edhe ai vetë është fajtor.

Këtë deklarim Jashari e ka dhënë të enjten si ish-kryetar i Bordit të Drejtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës gjatë periudhës 2008-2015 në rastin ku Nuredini dhe Mehaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke dëmtuar buxhetin publik prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

“Unë mendoj se në qoftë se këta dalin fajtorë edhe unë jam fajtor”, ka deklaruar Jashari që ka mbajtur edhe pozitën e kryetarit të Skenderajt nga 2017-2021.

Jashari ka thënë se i ishte dukur absurd procesi gjyqësor nga fillimi derisa kujton kohen kur iu kishte thënë policëve hetues se ndihet keq që nuk iu kishte dhënë mirënjohje stafit menaxhues të asaj kohe për punën që e kanë bërë dhe vështirësitë që i kishin pasur.

Tutje tha se duket e lehtë por kishin pasur jashtëzakonisht vështirësi të mëdha por prapë raportet kishin ardhur pozitive për fakton se kishin funksionuar si familje.

Në fund tha se në ditët e sotme nuk është i angazhuar për familjen e tij sa kishte dhënë në atë kohë me arsyetimin se nuk kishte punuar për rrogë por e kishte pasur obligim moral dhe kombëtar.

Dëshmitari Jashari fillimisht ka thënë se të akuzuarin Nuredini e kishte djalë të hallës, por trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Kujtim Krasniqi e njoftoi se në bazë të ligjit nuk lirohet nga dhënia e dëshmisë.

Ai ka thënë se qëndron prapa deklaratave të dhëna më parë në Polici për këtë çështje penale.

Ndërkaq lidhur me mbledhjen e 64-të të Bordit  të datës 15 korrik 2011, Jashari tha se nuk i kujtohej me saktësi se për çka ishte bërë fjalë, duke shtuar se qëndron mbrapa gjithçka që ishte  konstatuar në procesverbalet e mbledhjeve të Bordit.

Ndër të tjera dëshmitari Jashari ka thënë se si Bord dhe pjesa tjetër e menaxhmentit të tash të ashtuquajturit ASHNA që në kontratën mes Qeverisë dhe “Limak-ut” janë vetëm 544 punëtorë që do të transferohen apo do të ketë përgjegjësi “Limak-u” për ta deri atëherë nuk e kishin ditur këtë detal.

Tutje tha se kishte qenë një shqetësim i jashtëzakonshëm për zyrtarët menaxhues të asaj kohe por edhe një sfidë shumë e vështirë edhe për Bordin se si ka mundësi të mbesin jashtë kontratës edhe 130 punëtorë të tjerë.

Dëshmitari mes të tjerash tha se kishte bërë bisedime joformale me Qeverinë e Kosovës dhe Partneritetit Publiko-Privat  për gjetjen e zgjidhjes të 130 punëtorëve në ANP që kishin mbetur jashtë, si dhe me drejtuesit e kompanisë “Limak”.

Dëshmitari Jashari njëjti tha se nuk kishte dijeni për vitin 2016 përkatësit në atë se kishte qenë në dijeni se më 19 shtator 2016, pikërisht për shkak të moskryerjes së punimeve ASHN dhe operatori ekonomik TCN kishin shkëputur kontratën për realizimin e këtij projekti.

Më pas seanca e së enjtes ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Dhurata Hoxha tha se gjatë kohës sa kishte qenë e emëruar si këshilltare e kryeministrit Hashim Thaçit, kishte marrë pjesë në shumë grupe ndërministrore si përfaqësuese e Zyrës së Kryeministrit, duke shtuar se besonte që kishte qenë pjesë e komisionit drejtues ndërministror.

E njëjta tha se nuk i kujtohet nëse kishte marrë pjesë në mbledhje të këtij komiteti, por që pas shikimit të procesverbalit e njëjta konfirmoi pjesëmarrjen më datë 29 shtator 2011.

Dëshmitarja Hoxha tha se nuk i kujtohej në mënyrë të detajuar për çka kishin pasur diskutime por që kishin biseduar lidhur me çështjet e “Limak-ut” – Aeroporti dhe projekte të tjera.

Sipas dëshmitares Hoxha, sa i kujtohej, procedura që kishte qenë në fuqi atë kohë secili grup qeveritar i kishe dërguar agjendën paraprakisht por sipas të njëjtës ato pika tutje ishin shqyrtuar në zyrën ligjore të ministrive përkatëse.

Sipas dëshmitares Hoxha, nëse kishte ndonjë vendim në mospërputhje me ligjin të njëjtit kishin kërkuar ndërrimin e vendimit dhe kishin kërkuar të bëhet në përputhje me ligjin, duke shuar se nëse ndonjë pikë e mbledhjes nuk ishte dokumentacioni i kompletuar pika e rendit të ditës shtyhej por që pikërisht për pikën 5 nuk i kujtohej pasi që kishte kaluar kohë e gjatë.

Hoxha po ashtu tha se ishte praktikë që vendimet të jenë dhënë në formë të shkruar por që lidhur me rastin në fjalë nuk i kujtohej duke shtuar se nuk kishte qenë në dijeni dhe nuk i kujtohej që ajo pikë kishte qenë marrëveshjen bazë të koncesionimit të Aeroportit, e cila ishte lidh në vitin 2010 në mes Qeverisë së Kosovës dhe “Limak”.

Në fund e njëjta tha se nuk i kujtohet saktë se si ishin votuar pikat e rendit të ditës.

Seanca e radhës në këtë çështje penale pritet të mbahet të premten, më 13 tetor 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në periudhën kohore shtator 2011 deri në gusht 2018 në vazhdimësi në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, ia kanë mundësuar OE “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana të përfitojë me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit ANP/KM-11-47-111 kundërligjshëm tenderin “Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.

Tutje, sipas aktit akuzues Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Ndërsa, thuhet në aktin akuzues se kontrata është nënshkruar më 6 tetor 2011, duke e ditur se “rilokimi i sistemeve ekzistuese” ishte pjesë e kontratës “PPP-09-001-611 e 12 gushtit 2010”, e lidhur në mes të KDNM-së të Projektit të Partneritetit Publiko-Privat (PPPP) dhe kompanisë “LIMAK Kosova Internacional Aeroport” J.S.C.

Andaj, sipas aktit akuzues, të akuzuarit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri, edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë ‘‘LIMAK’’, ndërsa thuhet se gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të parapara me ligj dhe kontratë, përfshirë konfiskimin e garancisë së ekzekutimit të kontratës apo shkëputjen e kontratës për shkak të shkeljeve të kryera nga OE ‘‘TCN International’’ Sh.P.K.

Kjo pasi që sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Ndërsa, thuhet se për kryerjen e punëve të papërfunduar AShNA kishte lidhur kontratë me OE ‘‘Leonardo’’, nga Italia për aktivitetin me numër të prokurimit 254-18-7340-2-1-5 “Rilokimi dhe azhurnimi i APP/TËR” më 31 gusht 2018, në vlerë 386 mijë e 180 euro, me të cilat veprime thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Me këto veprime, Nuredini dhe Mehaj po akuzohen se në bashkëveprim dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal, raporton betimiperdrejtesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *