Dy javë pas miratimit, disa prej marketeve kosovare veçse kanë filluar zbatimin e udhëzimit administrativ për qeset e plastikës, i cili disa i ndalon tërësisht e të tjera i bën me pagesë.
Kështu i thanë Front Online-it disa konsumatorë, gjatë së enjtes.
Pavarësisht udhëzimit të ri, Ministria e Mjedisit, që drejtohet nga Liburn Aliu, tash për tash ua ka lënë në dorë vullnetarisht bizneseve praktimin.
Megjithatë, sipas kryetares së Komisionit për Mjedis, Fitore Pacolli, jo për shumë kohë.
“U është lënë kohë bizneseve që me u adaptu, me kuptu udhëzimin administrativ, nuk ka një afat se prej kur duhet me u ndalu komplet qeset e plastikës, në ditët në vijim do të vendoset një afat, por kjo fillimisht iu është lënë kohë bizneseve që me u adaptu me vendimin”, tha ajo për Front Online.
Pasi ministria të dalë me afat, bizneset që nuk e respektojnë udhëzimin për qeset i pret përballja me ligjin.
“Pastaj prej asaj date ka me pasë ndëshkime dhe dënime që nuk i respektojnë, mirëpo tani për tani munden disa në mënyrë vullnetare me i provu me i respektu dhe me u adaptu gradualisht me vendimin e ri, u shpreh ajo”, u shpreh Pacolli.
Kaçaniku: Vendimi për qeset e plastikës dëmton konsumatorin, favorizon interesa grupore ose personale
Për këtë udhëzim administrativ, po del të jetë i pakënaqur kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.
Ai thotë se gjithë ky hartim e martim është bërë pa prezencën e shoqatës “Konsumatori”, gjë që e konsideron të jashtëligjshme.
“Pakënaqësia buron nga fakti se grupi i interesit, grupi kryesor i interesit, qytetari konsumtaor, taksapaguesit e Republikës së Kosovës nuk kanë marrë pjesë ne debat publik, nuk është marë parasysh”, u shpreh ai.
Madje Kaçaniku hedh akuza se ka pasur interes grupor gjatë miratimit të këtij udhëzimi administrativ.
“Edhe gjatë debatimit ne kemi pasur vërejtje, kemi vërejtur që debati nuk po shkon në kahjen e duhur, disi tingëllonte sikur kishe interes grupor ose personal. I gjithë debati është bërë pa pjesëmarrjen e organizatës konsumator. Domethënë edhe kur është miratuar udhëzimi, është miratuar jashtëligjshëm pa qytetarin konsumatorë, ndërsa i dedikohet qytetarit konsumator. Gabimi është bërë në fillim gjatë miratimit, dhe gabimi është bërë njësoj gjatë zhbërjes”, deklaroi Kacaniku.
Ai ka thënë që po bëhet hajgare me qytetarin.
“Në Gjakovë themi që dikush po bën hajgare pasha bacën, hajgare në ministri, hajgare në Qeveri, hajgare me qytetarin konsumator po bëhet vazhdimisht, nuk duhet të lejohet të ndodh më tutje”, u shpreh ai.
Kosova ka qenë vendi i vetëm ballkanik që qeset njëpërdorimshe të plastikës i ka ofruar deri tash falas për konsumatorët.
Detaje nga udhëzimi i ri
Përdorimi i qeseve të plastikës falas tash e tutje do të jetë i mundur vetëm për qeset që përdoren për fruta nga 0 deri në 25 micron.
Ndërkohë, në Udhëzimin Adminsitrativ për qesen e plasiktës, qeset nga 25 deri në 50 micron do të kushtojnë 5 cent.
E përdorimi tjetër i tyre është ndaluar plotësisht.