Berisha: Konsensusi PS-PD për rezolutën për Kosovën, arritje e madhe kombëtare

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në një prononcim për media, theksoi se qëndrimet për Kosovën mes partisë së tij dhe Partisë Socialiste të Edi Ramës, kanë qenë të kundërta.

“Për interesat e kombit shqiptar, që nga viti 2013 gjer më sot, ne kemi qenë në pozita të kundërta në qëndrimin ndaj Kosovës me PS-në dhe Edi Ramën dhe kjo është shumë e njohur”.

Ndërsa sa i përket marrëdhënieve në mes dy shteteve shqiptare, ai tha se duhet të ndërtohet së pari parimi i mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme.

“Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, mendoj unë se duhet të ndërtohen së pari në parimin e mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme. Sado që jemi vëllezër, nuk jemi një shtet dual, jemi dy shtete të pavarura. Dhe në këtë kontekst, respektimi i vullnetit të zgjedhësve në dy shtetet është kusht themelor, se është respektim i sovranitetit”, deklaroi Berisha, transmeton Klankosova.tv.

E për arritjen e konsensusit të Rezolutës për dënimin e aktit terrorist së 24 shtatorit në veri të Kosovës, Berisha u shpreh se është një arritje e madhe kombëtare.

“Mendoj se konsensusi shënon një arritje të madhe kombëtare. Se u ra dakord të mbështetej plotësisht rezoluta e Kosovës. Këtë prisnin shqiptarët e Kosovës nga parlamenti i Shqipërisë, priste çdo shqiptar që e do këtë vend”.

“Për ne, rëndësi ka që deputetët sot do të votojnë mbështetjen e plotë për rezolutën e Parlamentit të Kosovës dhe ky është një akt shumë i rëndësishëm në një moment shumë të rëndësishëm”, deklaroi ish-kryeministri Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *