Hovenier: Grupi serb që sulmoi Policinë e Kosovës kishte armë të sofistikuara që nuk mund të blihen në tregun lokal

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa pasi të vërtetohet se kush qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai ka theksuar se nuk bëhet fjalë për grup të mbledhur spontanisht.

“Ka disa gjëra që i dimë. E dimë se ky grup individësh nuk ishte spontan. Këta individë, që ishin të gjithë serbë me sa dihet, kishin qasje dhe posedonin armë shumë të sofistikuara që nuk mund të blihen në tregun lokal. Duhet të ketë një strukturë, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron ato armë”, deklaroi Hovenier.

“Ne e dimë se pjesa më e madhe e materialit [luftarak] që ata lanë pas, ishte me origjinë nga Serbia. E dimë se Milan Radoiçiqi, që ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe bëri një deklaratë publike përmes avokatit të tij, duke marrë përsipër përgjegjësinë dhe duke thënë se kishte organizuar sulmin dhe kishte marrë përsipër në të. Këto janë gjëra që i dimë dhe po përpiqemi të kuptojmë më shumë rreth sulmit”, shtoi Hovenier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *