Ekspertët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike kanë bërë një super-ekspertizë të video-incizimeve të aksidentit të Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e cila kishte goditur me veturë një fëmijë në muajin prill të vitit të kaluar.
Sipas super-ekspertizës thuhet se ministrja Hajdari në bazë të shikimi të vendit të ngjarjes nuk ka mundur ta evitojë aksidentin pasi ishte duke vozitur më shpejt se që duhet.
“Drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 kilometra me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e aksidentit”, thuhet në super-ekspertizë.
Po ashtu sipas super-ekspertizës, ministrja Hajdari do duhej të ishte “më e kujdesshme” gjatë ngasjes së veturës në një zonë urbane dhe se ka frenuar me vonesë.
“Drejtuesja e automjetit duke lëvizur në zonë urbane është dashur të ketë kujdes të shtuar ndaj pranisë së këmbësorëve në lëvizje në atë pjesë. Drejtuesja e automjetit ka reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.
Megjithatë, ekspertët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike me rastin e realizimit të superekspertizës nuk e kanë bërë ekzaminimin e gjendjes teknike të sistemit të frenimit të veturës së ministres.
Në anën tjetër, Hajdari duke u munduar të shfajësohet, pati dal sqarim në llogarinë e saj në Facebook, ku thoshte se nuk ishte ajo që goditi fëmijën, por e kundërta ishte e vërtetë.
“Fëmija u përplas me makinën time”, pati thënë ajo.
Madje, edhe pa një vendim gjyqësor të formës së prerë, Hajdarit në mbrojtje i kishte dalë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ka qenë bashkë në veturë me motrën e saj me aftësi të kufizuara dhe me çka kam kuptuar nuk ka shenja të frenimit në asfalt, që do të thotë se nuk ka pasur shpejtësi me tepër se ç’duhet”, kishte theksuar Kurti.
Por, se ishte fajtore apo jo ministrja Hajdari, do vendos Gjykata Themelore në Prishtinë, ku edhe do mbahet këtë të mërkurë seanca gjyqësore për këtë rast në ora 13:30.