23-vjeçari në Lipjan terrorizon prindërit, i ngujon në dhomë dhe i kërcënon se do t’i mbysë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në fshatin Vershec të Lipjanit, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me jetë prindërit e tij.

Burime brenda prokurorisë kanë bërë me dije se prindërit e 23-vjeçarit kanë deklaruar se djali i tyre i ka mbyllur në një dhomë dhe i ka kërcënuar se do i vrasë ata dhe të gjithë familjen.

Njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe të njëjtin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerr aktvendim, siç raporton Sinjali, që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *