Nga 24 shtatori kur ka ndodhur sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës në Banjskë janë shtuar thirrjet për hetim ndërkombëtarë të këtij sulmi. Kuvendi i Kosovës ka nxjerr edhe një Rezolutë që kërkon një hetim të tillë. Përveç që shpreh nevojën për një hetimi të tillë, rezoluta nuk tregon se kush duhet ta bëj këtë hetim.
Njohësit e proceseve politike dhe juridike kanë treguar se kush duhet ta bëj këtë hetim.
Ata kanë bërë me dije se atë mund të bëjnë OKB-ja, BE-ja ose Këshilli i Evropës.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve(me seli në Londër), Mark Ellis, ka thënë se për zbardhjen në tërësi të sulmit në Banjskë është i nevojshëm një hetim ndërkombëtar.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, ai ka thënë se vetëm një hetim ndërkombëtar do t’i ulte tensionet për këtë çështje.
“Sigurisht që e mbështes atë kërkesë. Mendoj se është i nevojshëm për dy arsye kryesore. Së pari, akti ishte flagrant dhe shkelje e një sërë parimesh në bazë të ligjit. Është e rëndësishme që të ketë një hetim objektiv se kush qëndron prapa tij dhe cilat janë elementet terroriste. Mendoj, po ashtu, se hetimi ndërkombëtar do t’i ulte tensionet për këtë çështje, sepse nëse kërkohet nga cilado palë e ekuacionit të hetojë, nuk jam i sigurt se një gjë e tillë do të sillte ndonjë lloj pranimi të gjetjeve. Kështu që do ta mbështesja dhe do t’i bashkohesha kërkesës për një hetim ndërkombëtar dhe të monitoruar. Po.”, ka thënë Ellis.
Ai ka treguar se edhe kush duhet ta bëj këtë hetim.
Sipas tij, hetimi mund të bëhet nga OKB-ja, BE-ja, apo Këshilli i Evropës.
“E para është një hetim i mandatuar nga Kombet e Bashkuara, një lloj komisioni. Ai do të mund të mandatohej nga sekretari i përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit apo Asambleja e Përgjithshme. Kjo do të ishte një kërkesë e përshtatshme. Nëse do të pranohej, nuk e dimë. Por, kjo do t’i jepte besueshmëri të madhe një hetimi ndërkombëtar dhe të pavarur. Pra, kjo do të ishte qasja e parë”, është shprehur ai, duke shtuar se hetimin mund ta bëjnë edhe disa shtete.
“E dyta do të mund të ishte jashtë sistemit të mandatit të OKB-së, do të mund të bëhej kërkesë për një mision shumëpalësh për hetime. Në atë rast, disa vende bëhen së bashku dhe kryejnë një hetim objektiv dhe intensiv. Është shumë e rëndësishme në rastin e Kosovës që të bëjë përpjekje për të gjetur se kush ka qenë përgjegjës për grupin e terroristëve [në Banjskë], a ka pasur mbështetje shtetërore apo ka vepruar i vetëm. Të gjitha këto duhet të hetohen dhe pastaj të nxirren gjetjet”, ka thënë Ellis.
Edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka bërë me dije se Kosova duhet të kërkojë raportues special nga Këshilli i Evropës për hetimin e këtij rasti.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet t`i konkretizojnë kërkesat e tyre për rastin.
“Po përsëris edhe shqip: vajtimet dhe ankesat nuk sjellin rezultat ndryshe nga e kaluara. Kërkesat post-Banjskë duhet konkretizuar: ne mes tjerash mund të kërkohet raporter special të KE per sulmin terrorist, rrethanat dhe aktoret e involvuar. Një dikmarti të fokusuar në Serbinë”, ka shkruar Selimi në platformën “X”.
Çka thotë rezoluta?
Pas sulmit të 24 shtatorit në veri, gjitha partitë politike në Kosovë kanë kërkuar hetim ndërkombëtarë. Zyrtarët e këtyre partive politike kanë bërë me dije se vetëm një hetim ndërkombëtarë do ta zbardhte përfshirjen e Serbisë në këtë rast.
Për këtë qëllim javën e kaluara Kuvendi ka nxjerr një rezolutë, e cila ka marrë përkrahjen e të gjithave partive politike.
Në nenin e parë, rezoluta dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023.
Më tej, kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës.
“KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”, thuhet në piken e 7 të rezolutës.
Më 24 shtator një grup terrorist është futur në Kosovë dhe ka sulmuar një patrullë policore në fshatin Banjskë të Zveçanit. Nga ky sulm ka mbetur i vdekur polici Afrim Bunjkau dhe një polic tjetër ka mbetur i plagosur. Nga kundërpërgjigjja e policisë kanë mbetur të vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist.
Armatimi dhe dokumentet që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës tregojnë për përfshirjen e Serbisë në këtë rast. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiqi, i cili ka qenë udhëheqës i grupit. Ai ka mohuar se Serbia ka qenë e përfshirë. Megjithatë, SHBA-ja dhe BE-ja kanë shprehur dyshime të forta për përgjegjësin e Serbisë në këtë rast. Përfaqësuesit e këtyre vendeve kanë bërë me dije se nëse vërtetohej lidhja e shtetit serb më këtë grup, Serbia do të ndëshkohet.