E pranoi publikisht se ka qenë udhëheqës i sulmit terrorist në Banjskë.
Milan Radoiçiq megjithatë, vazhdon ta ketë përkrahjen e madhe në Beograd.
Kompania e tij “Novi Pazar-put” të cilën e ka bashkë me vëllezërit Veselinoviq, ka marrë tender nga shteti serb pak ditë pas sulmit në Banjskë.
REL-i pyeti kompaninë publike “Putevi Srbije”pse ia besoi punën kompanisë “Novi Pazar-put” dhe nëse vendimi është rishqyrtuar pas sulmit të armatosur në Banjskë të organizuar nga Radoiçiqi. Ata u përgjigjën se Ligji për Prokurimin Publik “nuk parasheh rishikimin e vendimit për dhënie të kontratës” në atë rast.
Ata shprehen gjithashtu se “nuk ka rëndësi se kush është pronari i kompanisë që merr pjesë në prokurimet publike”.
“Novi Pazar-put” është në pronësi të “Inkop”-it, gjegjësisht Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, që nga janari i vitit 2020.
Edhe ajo kompani është nën sanksionet amerikane porse merr kontrata nga shteti i Serbisë.
Ajo mori kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në disa qytete dhe komuna në Serbinë jugperëndimore.
Vitin e kaluar, në vitin 2022, fitimet e kompanisë ishin rreth 6.5 milionë euro.
Pasuria e saj kap vlerën e 10.6 milionë eurove.
Sipas dokumenteve të analizuara më parë nga REL-i, “Novi Pazar-put” u shfaq edhe si nënkontraktues për punimet në autostradën e shpejtë nga Iverk në Llajkovac në Serbinë qendrore, e cila po ndërtohet nga Shandong e Kinës.