FC Ballkani ka dalë me një reagim në Facebook, ku ka konfirmuar sulmin “verbal dhe fizik”, ndaj trajnerit të klubit, Ilir Daja.
Sipas klubit suharekas, Ilir Daja ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme verbale por edhe fizike nga persona që në stadium nuk ishin për futboll, por me qëllime të tjera jo sportive.
“Në përfundimin e pjesës së parë, vëllau i një zyrtari të klubit vendas, ka hedhur shishe në drejtim të trajnerit Daja. Duke mos u ndalur me kaq, e fatkeqësisht para syve të sigurimit, ai dhe disa të tjerë në vazhdimësi kanë qëndruar mbi bankinën ku ishte skuadra jonë, duke ofenduar e kërcënuar trajnerin dhe stafin tonë teknik”, thuhet në njoftim.
Tutje klubi portokalli ka shprehur indinjatën për këto ndodhi, duke kërkuar nga organet kompetente si brenda ashtu edhe jashtë Federatës, që ta trajtojnë me seriozitet këtë situatë, pasi sipas tyre, gjërat e tilla vetë e kthejnë futbollin kosovar prapa.