Knaus: Sulmi në veri, përpjekje e Serbisë për të ndryshuar kufijtë me forcë

Kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus e sheh sulmin e 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës nga një grup i armatosur serb, si përpjekje e Serbisë për të ndryshuar kufijtë me forcë dhe si pjesë të një përgatitjeje, të përcjellë me retorikë nxitëse dhe armatosje, për një konfrontim të armatosur.

Ai thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se zhvillimet në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë kambanë alarmi për Bashkimin Evropian që të rishikojë politikën ndaj rajonit, përfshirë edhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij është shndërruar në problem dhe jo në zgjidhje.

Ndryshe, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka konfirmuar se ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, në përgjigje të sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Kështu ka deklaruar Von Cramon në një intervistë me Alice Taylor në podcastin Inside Albania.

“Nuk do t’i quaja sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do të dëmtojnë qeverinë e Serbisë”, tha Von Cramon

Për von Cramon, Vuçiq duhet të bashkëpunojë dhe të sigurojë një hetim korrekt për ngjarjen e 24 shtatorit.

“Vuçiç është në kontroll të shumëçka ndodh në Serbi. Vështirë të mendohet se ai nuk kishte dijeni se çfarë po ndodh sa i takon blerjes së armatimeve, apo organizimit të grupit agresor. Megjithatë, nuk mendoj se Serbia ka interes për një sulm më të madh ushtarak, apo për luftë”, shtoi ajo.

Për raportuesen për Kosovën është me rëndësi që Serbia të nënshkruajë çdo marrëveshje të arritur me Kosovën, ndërsa kjo e fundit të sigurojë krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në veri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *