Ambasadori francez në vendin tonë, Olivier Guerot, thekson nevojën për “të vërtetuar me saktësi faktet” nëse Serbia qëndron mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit, para se ndaj këtij shteti të ndërmerren masa ndëshkuese.
Megjithatë, në një intervistë për KosovaPress, ai shton se “nuk mund të mos i bëjmë vetes pyetje” pas gjithë atij armatimi të kapur nga autoritetet e Kosovës.
Guerot shpreh qëndrimin e Francës kur deklaron se pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në mënyrë që autorët e këtij akti terrorist të dalin para drejtësisë.
Megjithëse, liderët e shtetit të Kosovës deklaruan se nuk mund të ulen në tryezën e dialogut me Serbinë para se aplikohen sanksione ndaj presidentit Aleksandër Vuçiq, ambasadori Guerot në një intervistë me shkrim për KosovaPress, shprehet se palët nuk duhet të vendosin kushte apo të deklarojnë njëanshëm se dialogu nuk është një çështje aktuale.
Sipas tij, agresioni i 24 shtatorit vetëm sa ka theksuar nevojën që dialogu është “e vetmja mundësi për të zgjidhur ngërçin aktual përmes mjeteve politike”.
PYETJE NGA INTERVISTA:
KosovaPress: Në bazë të këtyre dëshmive a duhet Serbia të sanksionohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
O. Guérot: Vetëm mund të rikujtoj se Franca nënvizon nevojën për të vërtetuar faktet përmes hetimeve të pavarura, në mënyrë që të nxjerrë përfundime, nëse është e nevojshme, për masat që mund të ndërmerren.