Kriminelët në Suedi po përdorin kriptomonedhën për të paguar për transmetimet e Spotify dhe për të pastruar paratë e tyre të pista.
Katër anëtarë të bandës në Stokholm, si dhe një hetues policie anonim, folën me gazetën suedeze “Svenska Dagbladet” për fshehjen e shtigjeve të parave të lidhura me krimin e dhunshëm.
Të ardhurat e fituara nga pazaret e drogës, vrasjet me pagesë dhe grabitjet po fshihen përmes marrëveshjeve të transmetimit artificial.
Kriminelët fillimisht paguajnë muzikantët përmes një transaksioni në kriptomonedhë, i cili është më i vështirë për t’u gjurmuar sesa një pagesë tradicionale. Më pas artistët do të paguhen për transmetimin e këngëve të tyre dhe krimineli mund të mbledhë paratë e pastruara.
“Spotify është bërë një makinë bankare për bandat”, tha hetuesi i cituar në raportin e SvD për gazetën, raporton “euronews”.
Megjithatë, platforma muzikore e siguroi AFP-në se “më pak se 1 për qind e të gjitha transmetimeve në Spotify janë përcaktuar si artificiale”, duke shtuar se çdo shifër e manipuluar “bllokohet menjëherë përpara çdo pagese”.
Sipas SvD, një milion transmetime gjenerojnë rreth 40 mijë deri në 60 mijë krona në Suedi, që është afërsisht 3.450 deri në 5.180 euro.