Narges Mohammadi, aktivistja e burgosur iraniane, fitoi Çmimin Nobel për Paqe për luftën kundër shtypjes së grave në Iran.
“Ky çmim është para së gjithash një njohje e punës shumë të rëndësishme të një lëvizjeje të tërë në Iran me lideren e saj të padiskutueshme, Nargis Mohammadi”, tha Berit Reiss-Andersen, kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit që shpalli çmimin në Oslo, raporton AP.
Burgosja më e fundit e Mohammadit filloi kur ajo u arrestua në 2021 pasi mori pjesë në një memorial për një person të vrarë në protestat mbarëkombëtare të vitit 2019, të shkaktuara nga një rritje e çmimeve të benzinës. Ajo është mbajtur në burgun famëkeq “Evin” të Teheranit, ku dërgohen në vuajtje të dënimit ata me lidhje perëndimore dhe të burgosur politikë.
Reiss-Andersen tha se Mohammadi është burgosur 13 herë dhe dënuar pesë herë. Në total, ajo është dënuar me 31 vjet burg.
Ajo është gruaja e 19-të që fiton Çmimin Nobel për Paqen dhe gruaja e dytë iraniane, pasi aktivistja e të drejtave të njeriut Shirin Ebadi fitoi çmimin në vitin 2003.
Mohammadi ishte në burg për protestat e fundit mbarëkombëtare për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq pasi u ndalua nga policia morale e vendit.
Megjithatë, Mohammadi kontribuoi me një artikull opinioni për “The New York Times” nga prapa grilave.
“Ajo që qeveria mund të mos kuptojë është se sa më shumë prej nesh të mbyllin, aq më të fortë bëhemi”, shkroi ajo.
Çmimi i Paqes është i pesti nga çmimet e këtij viti që shpallet.
Sezoni i Nobelit përfundon javën e ardhshme me shpalljen e fituesit të çmimit të ekonomisë, i njohur zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkenca Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit.