Kurti njoftoi ambasadorin Szunyog për hetimet e sulmit terrorist në Banjskë

Kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar të premten shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh përfaqësuesin special të BE-së, Tomáš Szunyog për sulmi terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, dhe për hetimet që po zhvillohen rreth synimeve dhe autorëve të këtij sulmi.

Në takimin e sotëm të mëngjesit, Kurti po ashtu ka diskutuar me shefin e BE-së në Kosovë edhe për procesin e Berlinit në prag të samitit të radhës dhe përgatitjet e Raportit të Vendit, njofton Kryeministria.

Ambasadori Szunyog, ndërkaq i ka shprehur edhe një herë ngushëllime kryeministrit, familjes Bunjaku dhe popullit të Kosovës, për heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, rreshterin e Policisë i cili ra në detyrë, në mbrojtje të rendit, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial.

Ambasadori, më tej e njoftoi kryeministrin Kurti për përgatitjet që Komisioni Evropian është duke i bërë në finalizimin e Raportit të Vendit për vitin 2023, i cili pritet të miratohet në pjesën e parë të muajit nëntor, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Qeveria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *