Ballkani arriti mbrëmë një nga fitoret më të mëdha në histori të klubit.
‘Suharekasit’ mposhtën në “Fadil Vokrri”, gjigantin kroat dhe 24 herë kampionin e ligës përkatëse, Dinamo Zagreb, në ndeshjen e dytë të fazës grupore të Ligës së Konferencës për edicionin 2023-24.
Ballkani e mposhti me rezultat 2-0 klubin kroat, me golat e Almir Kryeziut dhe algjerianit, Walid Hamidi.
Me këtë triumf, Ballkani i hap dyert vetes për një kalim potencial të grupeve, duke u renditur tani në pozitën e dytë, me pikë të barabarta me Dinamo Zagreb me nga tre, me Viktoria Plzen e cila i prin tabelës me 6 pikë.
Ndonëse Dinamo Zagreb konsiderohej favorit i padiskutueshëm për këtë duel, duke ditur vlerën e skuadrës, përvojën në garat evropiane e dominimin në ligën kroate, Ballkani ia hodhi poshtë të gjitha këto, duke e gjunjëzuar në “Fadil Vokrri”, shkruan Sinjali Sporti.
Nëse shikohet vetëm vlera e skuadrës, Dinamo Zagreb qëndron pakrahasimisht shumë larg skuadrës kosovare, Ballkani.
Sipas Transfermarkt, vlera e Dinamo Zagrebit është afro 80 milionë euro, apo saktësisht €79.80m.
Ndërsa ajo e Ballkanit është shumëfish më e ulët, ku sipas Transfermarkt, vlera e klubit kosovar është €5.43m.
Kjo sigurisht se nuk i bëri aspak punë skuadrës kroate, e cila u mposht bindshëm nga Ballkani me një vlerë dukshëm më të vogël, me trajnerin e Dinamos që pas ndeshjes mbrëmë shtoi se kjo ishte humbja më e rëndë në karrierën e tij.
“Një disfatë e merituar. I kërkoj falje të gjithë Kroacisë dhe tifozëve. Marr përgjegjësinë. Ne patëm atë që kishim, u përpoqëm të përfitonim maksimumin prej saj. Ata ishin shumë më të mirë se ne Kjo është humbja më e vështirë në karrierën time”, u shpreh ai.