Si pasojë e lëndimeve të marra, nëntë ditë më parë ndërroi jetë mjeku i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, Mentor Salihi, i cili ishte brenda autoambulancës që u aksidentua më 30 qershor të këtij viti në Gjakovë.
Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh e fejuara e Salihit, Blerta Begaj dhe vëllai i Mentorit, Selim Salihi kanë shkruar në llogarinë e tyre në ‘Facebook’ në lidhje me rastin tragjik.
Përshkrimin për mjekun, Begaj e ka quajtur si të vështirë, por, ndihet e ngushëlluar nga fakti se ai iku si hero.
“Me ngushëllon e më bënë krenare pa masë fakti që u ndave nga kjo jetë si një hero, ti nuk mbete vetëm heroi i zemrës time por u bere heroi i te gjithë atyre qe i ktheve ne jete kur nuk kishin shpresa, i atyre qe te njohën, e i atyre që për herë të parë dëgjuan për ty, me veprën tënde madhore, me flijimin tënd, pikërisht ashtu siç gjithmonë veprove, vendose te tjerët përpara vetes tende”, ka shkruar Begaj në facebook.
Ajo shkroi se Salihu la shumë gjurmë në jetën e saj, dhe kësisoj të gjitha kujtimet që ndajnë bashkë janë të bukura.
“Krejt kujtimet me ty, qe janë kaq te bukura, kam me i mbajt përgjithmonë ne zemër e me jetu me to. Kështu kam me te mbajt afër e ti ke me jetu përgjithmonë brenda kësaj zemre”, ka shkruar ajo.
Ndërsa, vëllai i të ndjerit, Selim Salihi ia ka kushtuar Dr. Mentorit një poezi të dhimbshme, që kujton vëllain e vogël shumë krenar.
Poezinë që Selimi e ka shkruar mes lotësh për Mentorin e nis me:
“Sa e errët dita pa ty,
Qohu vlla e m’shiko n’sy.
Thuja vllaut nja dy fjalë,
Shtatin tokës pse ja ke falë”.
Poezia e plotë e Selimit e shkruar për të ndjerin, Dr. Mentor Salihi:
Sa e errët dita pa ty,
Qohu vlla e m’shiko n’sy.
Thuja vllaut nja dy fjalë,
Shtatin tokës pse ja ke falë
Ata sy pse ja dhe qiellit,
Me atë shikim si rreze t’diellit .
Kur e shihje vdekjen në sy,
Cila kang t’bante shoqni,
Cili hero t’binte ndërmend,
Që nga vdekja s’tla me u tremb.
Pa ma thuaj vlla ni fjalë,
Kur i rrije vdekjes përballë,
Për kë në botë ti ndjeje mallë.?
Në të njëjtin askident, i vdekur kishte mbetur edhe drejtuesi i autoambulancës, Skofiar Gjini.
/Periskopi/