Vdekja tragjike e punëtorit 18-vjeçar në Prizren, arrestohen gjashtë mbikëqyrës e punëtorë të dy kompanive

Para rreth një jave, një punëtor 18-vjeçar në Prizren, Astrit Krasniqi, humbi jetën tragjikisht si pasojë e lëndimeve të rënda që pësoi në vendin e tij të punës. Viktima vdiq në QKUK, ku u dërgua për trajtim, por nuk mundi t’iu bëjë ballë plagëve. Lidhur me këtë rast, tashmë janë ndaluar gjashtë persona të dy kompanive.

Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast kanë bërë me dije se të dyshuarit janë mbikëqyrës të punimeve dhe punëtorë të dy firmave punuese.

“Njësiti i hetimeve rajonale Prizren ka arrestuar gjashtë të dyshuar, mbikëqyrës të punimeve dhe punëtorë të dy firmave punuese H.K. (viti i lindjes 1968), C.K. (viti i lindjes 1969), S.K. (viti i lindjes 1965), N.G. (viti i lindjes 1990), D.K. (viti i lindjes 2003) dhe A.Th. (viti i lindjes 2005).

Arrestimi i tyre është bërë si rezultat i hetimeve intenzive dhe mbledhjes së provave rreth rastit të ndodhur me datën 30.09.2023 i cilësuar ,, Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’  në të cilin rast dy viktima meshkuj kosovar shqiptar përderisa kanë qenë duke punuar, njëri nga ta kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Si pasoj e lëndimeve viktima kishte ndërruar jetë.”

Gjashtë të dyshuarit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *