Hoxhaj: Absurde që shumica parlamentare nuk e mbështeti rezolutën për Policinë e Kosovës

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një fjalimi në seancën e sotme të Kuvendit tha se synimi i PDK-së për votimin e një rezolute për Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë, është që të bëhet një politikë e re e sigurisë në vend. 

Hoxhaj në foltoren e Kuvendit u shpreh se sot ishte absurde që shumica parlamentare nuk deshi të bëjë asnjë veprim në mbështetje të Policisë së Kosovës, pas aktit të agresionit të Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator.

“Me 24 shtator ka ndodhë një akt i agresionit në Republikën e Kosovës, dhe sot ishte absurde që shumica parlamentare nuk do të bëjë asnjë veprim në mbështetje të Policisë së Kosovës, sa i takon shtesës së sigurisë dhe pensioneve për ta.

Ajo se çfarë synon PDK të thotë është kjo: që siguria pas 24 shtatorit është para normalizimit, është prioriteti më i lartë që ka Republika e Kosovës dhe ne do të duhej ta miratojmë një rezolutë, e cila edhe Policinë e Kosovës, edhe FSK-në dhe institucionet tjera të sigurisë do t’i bënte të kishin një politikë të re të sigurisë që të kenë më shumë buxhet, e më shume staf dhe pajisje ushtarake. Neve na duhet një mënyrë e re e të menduarit për atë se çfarë ka ndodhë më 24 shtator!”, deklaroi deputeti i PDK-së.

Tutje, ai ftoi kryeministrin Albin Kurti dhe pozitën që të kenë unitet sa i përket sigurisë në Kosovë.

“Ftoj kryeministrin, meqë më 24 shtator ka qenë një fitore e shtetit, e Policisë së Kosovës, dhe meqë kemi hyrë në një fazë të re të asaj se çfarë ka qenë Kosova me 24 shtator dhe meqë nuk po duam që këtë ta shndërrojmë në një debat të brendshëm, por po duam që të kemi unitet për çështjet e sigurisë, kjo propozim rezolutë nuk ishte asgjë më shumë se veç unitet”, tha Hoxhaj.

“Meqë Serbia ka qenë armik i shtetit të Kosovës deri më 1999, më 24 shtator ka treguar se vazhdon të jetë e tillë dhe në këtë fazë të re ne duhet të hyjmë mirë të përgatitur dhe mirë të menduar”, shtoi në fund, ish-ministri i jashtëm i Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *