Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj nëpërmjet një reagimi në Facebook ka thënë se e vetmja zgjidhje për situatën e krijuar pas sulmeve terroriste në very, është sanksioni për armatim ndaj Serbisë.
“Konsideroj se e vetmja zgjidhje për Kosovën në raport me Serbinë, është që të imponohen sanksionet për armatim ndaj Serbisë. Të përshpejtohen procedurat për PFP për Kosovën drejtë anëtarësimit në NATO. Të themelohet një bazë ushtarake e përhershme e ShBA-ve në Kosovë, sikurse në Poloni apo Gjermani. Dhe të përshpejtohet procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga 5 vendet e UE-së”, ka shkruar Mehaj.
Gjithashtu, ai ka thënë se nëse sulmin terrorist do ta bënte Kosova, pasojat do t’i vuante me dekada.
“Sikur të kishte vepruar Kosova, me një akt të tillë shtetëror – terrorist sikurse Serbia, do të kishte pasur pasoja me dekada ndaj Kosovës. Rrjedhimisht është e domosdoshme për popullin e Kosovës me pa veprime të qarta të partnerëve që ndajnë të njëjtat vlera demokratike me Kosovën dhe popullin e saj. Ne jemi dhe do të mbesim më proamerikanët në Europë, madje duke konkuruar që të jemi si shtet si Kosovë edhe më proamerikan se sa Texasi”, ka shkruar ish-ministri i Mbrojtjes./RTK/