Ish drejtori i Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Ambientit në Komunën e Skenderajt, Zymer Delija, ka fituar tender afro 500 mijë euro në këtë Komunë. Delija ishte emëruar si drejtor në fillim të udhëheqjes së Nurës në Skenderaj. Madje ai ishte quajtur si “krenaria e qytetit” nga Sami Lushtaku. Ndërsa së fundmi kompania që ai udhëheq “ZeD Architects” së bashku me një kompani tjetër kanë fituar tenderin prej 468 mijë euro.
Komuna e Skenderajt me 7 shtator ka shpallur fitues të tenderit “Renovim i Objekteve Shkollore“, kompanitë “ZeD Architects” dhe “Lioni SHPK”.
Pronari i kompanisë “ZeD Architects”, është ish drejtori i Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Ambientit, Zymer Delija.
Zymer Delija i emëruar pas fitores se PDK-së në këtë komunë, për nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, ishte “krenari e Skenderajt.
Lushtaku në 2021 kishte shkruar një status ku kishte thurur lavde për Delijan.
“Krenaria Skenderajt i kthehet me profesionistë si Zymeri. Zhvillimi i Skenderajt i ka vitalë të rinjtë si Zymeri, projektet e të cilit do t’i japin tjetër fytyrë qytetit tonë. Me këtë vizion për zhvillimin e Skenderajt, nuk kemi sesi të mos iu hapim rrugë të rinjve të tillë. Zymeri dhe të tjerët si ai e mundësojnë hapjen e një kapitulli të ri, më të ndritshëm se kurrë, për Skenderajn”, kishte shkruar ai.
Para një viti Zymer Delija, kishte dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit. Ai kishte kërkuar nga kryetari i Komunës që ta lirojë nga detyra për shkak të angazhimeve të mëdha private qe ai i ka në biznesin e tij familjar.