Ministrja e Jashtme e Kosovës u bëri thirrje sot kryeqyteteve perëndimore që të ndërmarrin veprime kundër Serbisë.
”Ajo që ndodhi të dielën, më 24 shtator 2023, ishte një akt i hapur agresioni i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz në një deklaratë për Guardian.
”Kjo është dëshmuar edhe në ditët e fundit me një mori dëshmish”, tha ajo, duke shtuar se ”për ditë institucionet Kosovës po zbulojnë më shumë armë dhe pajisje ushtarake në vende të ndryshme të pjesës veriore të Kosovës, përgjatë kufirit me Serbinë”.
Ministrja akuzoi Serbinë se qëndron ”pas sulmit terrorist” dhe tha se ”nuk ka dy anë në këtë përshkallëzim që është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin”.
”Qëllimi i këtij agresioni ishte pushtimi i veriut të Kosovës dhe imponimi i ndarjes, që është synim për të cilin qeveritarët e Serbisë kanë punuar vazhdimisht, haptas dhe në fshehtësi, me vite të tëra”, tha ajo.