Pas sulmit në veri, AAK del me 10 konkluzione për sigurinë në vend

Deputeti i Kuvendit nga radhët e AAK-së, njëherit kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, pa paraqitur konkluzionet nga tryeza për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist në veri.

Nga këto konluzione thuhet se  “ngjarja në Banjskë e cila ndodhi më 24 shtator, pa asnjë dyshim është sulm terrorist. Grumbullimi i fakteve dhe prezantimi i evidencës nga institucionet tona shtetërore, vërteton se sponsor i këtij sulmi ishte shteti serb, përmes strukturave të saja shtetërore”

Këto janë 10 konkluzionet e dala nga diskutimi në këtë tryezë sipas deputetit Berisha:

1. Ngjarja në Banjskë e cila ndodhi më 24 shtator, pa asnjë dyshim është sulm terrorist. Grumbullimi i fakteve dhe prezantimi i evidencës nga institucionet tona shtetërore, vërteton se sponsor i këtij sulmi ishte shteti serb, përmes strukturave të saja shtetërore;

2. Një hetim ndërkombëtar është i domosdoshëm për të dënuar përgjegjësit si individ dhe si institucion shtetëror;

3. Reagimi dhe intervenimi i institucioneve tona të sigurisë, në veçanti të Policisë, bashkëpunim i tyre me KFOR-in, EULEX-in ishte në nivel profesional dhe të detyrës;

4. Siguria në vend ende e ka të lartë shkallën e rrezikshmërisë, që nënkupton se nuk ka vend për vetëkënaqësi dhe as për eufori, por ka nevojë për veprim shtetëror;

5. Siguria kombëtare e cila trajtohet në dokumentin strategjinë e sigurisë kombëtare, duhet të ketë parasysh 5 shtyllat kryesore: politika e jashtme duhet të jetë proaktive; të krijojë partneritete të reja dhe protokolle shtesë Kosovë-NATO; të bëhet forcimi i katër shtyllave tjera kryesore (Ushtrisë, Policisë, Inteligjencës dhe planit të reagimit të shpejtë);

6. Anëtarësimi në NATO dhe partneriteti për paqe duhet të jetë prioritet kombëtar, institucional dhe shtetëror. Në funskion të saj duhet ndërmarr tri veprime të shpejta: i. Të forcohet ndërtimi i kapaciteteve bashkëkohore dhe të plota të ushtrisë; ii. Të jemi një forcë pozitive me energji të mirë në rajon; iii. Të përpilojmë programe dhe t’i dalim zot reagimit të parë;

7. Si veprim i parë dhe i shpejtë i Qeverisë dhe shtetit duhet të merren këto veprime konkrete: i. Të rritet paga përmes rritjes së koeficientit; ii. Të bëhet sigurimi shëndetësor për personelin e sigurisë (jo vetëm të Policisë, por edhe të Ushtrisë); iii. Për Policinë e Kosovës të bëhet ligji për pensionimin e parakohshëm; iv. Komisioni për Siguri të kërkojë nga Qeveria menjëherë rritjen e buxhetit shtesë për aspektin e sigurisë;

8. Duhet të ndërtohen aranzhmane të reja politike dhe operacionale me NATO-në, përmes caktimit të një platforme operacionale, diplomatike dhe argumentuese;

9. Policia kufitare duhet të jetë e vëmendshme dhe duhet të forcohet në cdo aspekt, ndërsa pikat kufitare tona ta ngrenë alarmin dhe trajtimin në nivel më të lartë;

10. Fitorja e 24-shtatorit në rrafshin e sigurisë, duhet të përkthehet në një fitore politike për Kosovën, përmes një bashkëveprimi dhe bashkërendimi të Kosovës me ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet anëtare të BE-së si veprim krucial. Serbia po punon në shfajësimin e vet. Pyetja është çka po bëjmë ne? Rekomandimi i kryetarit Haradinaj është kundërsulmi ynë i parë, duhet të jetë në sferën politike. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *