KPM-ja e ndalon transmetimin e kanaleve të Arenas serbe në Kosovë

Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM) u ka kërkuar të martën operatoreve kabllorë në vend ta ndërpresin transmetimin e kanaleve të rrjetit televiziv serb Arena, duke thënë se ka gjetur se ato kanë shkelur rregulloren e saj dhe e kanë cenuar sigurinë kombëtare të vendit.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, e bëri këtë të ditur gjatë një mbledhjeje të komisionit të martën në Prishtinë.

“Vendimi i zyrës ekzekutive është – pas gjetjes së provave të këtyre video-mesazheve të transmetuara nga Arena përmes operatorëve të shpërndarjes të cilët janë të licencuar nga KPM-ja – që ato menjëherë ta ndalojnë transmetimin e kanaleve të Arenas, për shkak se një mesazh i tillë është në kundërshtim me rregulloren e KPM-së sepse cenon interesin nacional dhe sigurinë e përgjithshme”, tha Mehmeti.

KPM-ja kishte marrë ankesa ngas shikuesit se kanalet sportive të Arenës po transmetonin mesazhe para dhe pas ndeshjeve të futbollit në mbështetje të tre sulmuesve serbë të vrarë gjatë një sulmi kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku.

Arena ka 10 kanale sporti dhe është në pronësi të operatorit shtetëror serb, Telekom Srbija. Në Kosovë, kanalet e saj transmetohen në platformat kabllore, si Artmotion, Ipko, Kujtesa, Telkos dhe MTS.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

“Nga monitorimi i zyrës ekzekutive i datës 1 tetor 2023, del se kanalet e Arena kanë transmetuar përmbajtje të cilat janë në kundërshtim me rregulloren e KPM-së. Më saktësisht, është fjala për transmetim të video-mesazheve të cilat vijnë nga Serbia me përmbajtje që e glorifikon sulmin terrorist në veri të vendit, mbi të gjitha përmbajnë edhe mesazhe kërcënuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Mehmeti.

Arena e transmeton ligat elitare të futbollit, si Premierligën e Anglisë dhe Serie A të Italisë, të cilat operatorët në Kosovë nuk kanë mundur t’i sigurojnë direkt nga këto vende, por përmes saj.

Premierliga dhe Serie A janë dy prej ligave më të shikuara të futbollit në Kosovë.

Përveç Arenas, në Kosovë Premierliga transmetohet edhe përmes operatorit kabllor të Shqipërisë, Digitalb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *