Radoiçiq vazhdon të mbrohet nga shteti serb, ai duhet të dënohet së paku me 12 vjet burg veç për armatim

Terroristi dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë, por edhe fajin për ngjarjet në Banjskë ku mbetën të vrarë katër persona dhe u gjet një sasi e madhe armësh. Ndonëse nuk dihet se për çfarë krimi mund të zhvillojnë hetime ndaj Radoiçiqit nga organet hetimore serbe, duke qenë se ai është marrë në pyetje në polici në cilësinë e qytetarit, ky biznesmen mund të dënohet me burgim deri në 12 vjet.

Ende nuk dihen shumë gjëra lidhur me konfliktin në Banjskë në veri të Kosovës, dhe për momentin e vetmja gjë që është e sigurt është se janë vrarë katër persona – tre serbë dhe një polic i Kosovës, dhe se kjo ngjarje fatkeqe tronditi rajonin dhe Evropën, shkruan Ballkani.info.

Më pas, përmes avokatit të tij Goran Petronijeviq, në një deklaratë me shkrim, biznesmeni kontrovers dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, mori përgjegjësinë për organizimin e një grupi të armatosur dhe blerjen e armëve.

Edhe përkundër këtij rrëfimi, Radoiçiq është ende i lirë në Serbi, në polici është marrë në pyetje vetëm si shtetas, e më pas është bërë e ditur se të gjithë rastin e ka marrë Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

Nuk dihet se si është e mundur që një njeri që pranoi se kishte marrë dhe transportonte një sasi të madhe armësh – 30 pushkë automatike, pesë pushkë me pamje optike, një granatëhedhës automatik, raketahedhës manuale, një sasi të madhe eksplozivi, etj, kurse portali Nova po mundohej të zbulonte se për çfarë vepër po hetohej Radoiçiq, mirëpo kjo media nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria e Lartë Publike.

Ajo që është e sigurt dhe ajo që ka deklaruar edhe vetë avokati i Radoiçiqit, është se ndaj terroristit të lartpërmendur mund të niset procedura për armëmbajtje. Ndonëse Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vendin e konfliktit janë gjetur letra për armëmbajtje në emër të Radoiçiqit, kjo ka të bëjë ekskluzivisht me pistoletat.

Nuk duhet anashkaluar fakti se Policia e Kosovës ka konfiskuar edhe armë që qytetarët nuk mund t’i kenë në posedim, por vetëm ushtria.

Pikërisht për shkak të këtij akti, Radoiçiq do të dënohej me burgim deri në 12 vjet.

“Ligji është i qartë, armëmbajtja pa leje dënohet me burgim. Nëse një qytetari “të zakonshëm” do t’i gjente armë pa leje, do të dënohej, të paktën me një vit burg. Për shkak të kësaj, nuk është e qartë se si është e mundur që Milan Radoçiqi ende të ecë lirshëm. Nuk dihet as se si është dëgjuar si qytetar, në çfarë rrethanash dhe lidhur me çfarë vepre penale”, pyet avokati Ivan Niniq.

Sipas mendimit të tij, Radoiçiq duhej të ishte arrestuar të njëjtën ditë, ose të paktën të nesërmen pasi kishte pranuar se ishte ai që kishte organizuar dhe armatosur personat që morën pjesë në konfliktin e armatosur në Banjskë.

“Ai është ende i lirë, ashtu si edhe personat e tjerë që morën pjesë në atë ngjarje. Ata lëvizin lirshëm, mund të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe kjo ndikon në rrjedhën e proceseve të mundshme gjyqësore. Problemi është se e gjithë ngjarja dhe kjo njohje, si dhe fakti që Radoiçiq dhe pjesëmarrësit e tjerë në konfliktin e armatosur në Banjskë janë të lirë, janë një barrë e rëndë mbi supet e shtetit serb”, shpjegon Niniq.

Autoritetet serbe, nëse asgjë tjetër, duhet të nisin procedurat kundër Radoiçiqit dhe të tjerëve për armëmbajtje pa leje. Dënimi i paraparë për këtë vepër penale është nga 2 deri në 12 vjet, sepse është pozitë më e vështirë, pasi bëhet fjalë për një sasi të madhe të armëve, të cilat qytetarët edhe nëse ishte Radoiçiq, nuk mund t’i kenë në posedim, si automatikë, armë, eksplozivë, granatahedhës…

“Hetimi duhet të përcaktojë se si dhe ku Radoiçiq i ka marrë ato armë, të bëjë një hetim të vlefshëm. Megjithatë, mendoj se çdo gjë, nëse procedura fillon fare, do të përfundojë me pranimin e fajit të Radoiçiqit dhe arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Kjo ka ndodhur edhe më parë në raste të caktuara, të ndjeshme, për të plotësuar formën dhe normën ligjore dhe për ta mbuluar këtë çështje”, thotë Niniq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *