PDK-ja e AAK-ja me seancë do të kërkojnë kushte më të mira për policinë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se i kanë siguruar 40 nënshkrime për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e koeficientit të pagës nga 105 në 129 euro.

Ai ka deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën se rritja e koeficientit i prekë edhe policët që janë në kushte të këqija.

Tahiri ka paralajmëruar se AAK-ja do të organizojë edhe një debat me ekspertë për sulmin në veri.

“Efektet e situatës së veriut po e prekin edhe situatën e përgjithshme, prandaj nesër do të kemi diskutim me ekspertë dhe zyrtarë të përfshirë në këtë proces. Do të duhet një angazhim më serioz që të dihet se çka ka ndodhur të dielën. AAK-ja ka përfunduar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për rritjen e koeficientin nga 105 në 129 euro. Kjo do të prekë edhe rritjen e pagave të policëve të Kosovës që tani të kalojmë prej fjalëve në veprave dhe besoj që do të kemi edhe mbështetjen e deputetëve të pozitës”, është shprehur ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në seancën e re të së enjtes (5 tetor), kjo parti do ta propozojë një draft-rezolutë për Policinë e Kosovës.

Siç është shprehur ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Policia e ka bërë gjithë vendin krenar në sulmin e fundit në Banjskë, “prandaj është e rëndësishme që ta marrë edhe trajtimin që meriton”.

“Do të propozojmë në seancën e së enjtes, seancës së re, një draft-rezolutë e cila merr përsipër një agjendë për Kuvendin e Kosovës e cila lidhet ekskluzivisht me Policinë e Kosovës. Si Grup Parlamentar i PDK-së, do të kërkojmë që Parlamenti i Kosovës të ketë një agjendë specifike për Policinë. Kjo nënkupton që të përmbushen tri pika shumë të rëndësishme, që lidhen edhe me funksionalitetin, por edhe me efikasitetin dhe ndjeshmërinë”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Me këtë rezolutë, sipas Tahirit, Qeveria do t’ua paguajë policëve shtesat, do të kenë sigurim shëndetësor nga 1 janari i vitit të ardhshëm si dhe do të hyjë në fuqi Ligji për pensionim të parakohshëm të Policisë.

Ndërsa, i pyetur për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Tahiri ka thënë se i duket i pakuptimtë votimi i tyre, kur Kosova është ende nën sanksione nga BE-ja e asnjëra nga marrëveshjet s’do të zbatohet.

“Nuk ka kuptim t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare kur Kosova është ende nën sanksione e asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armen Muja, ka konfirmuar se Kuvendi këtë javë do të mbajë dy seanca.

Madje tha se përveç të mërkurës e së enjtes, edhe të premten mund të vazhdohet me seancë.

Përderisa ka kërkuar votat e opozitës për marrëveshjet ndërkombëtare, ai tha se është vërejtur një tendencë e tri partive opozitare në Kuvend kundër këtyre marrëveshjeve.

Madje ai tha se opozita nuk asnjë arsyeje që mos të votojë për tri marrëveshje shumë të rëndësishme që tash janë në rend dite.

“Këtë javë Kuvendi do të ketë një punë intensive, të mërkurë, të enjten e me gjasë edhe të premten do të trajtohen që kanë mbetur nga pikat paraprake dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Gjithashtu patëm dakordim që këtë javë të kemi një seancë sa i përket pyetjeve parlamentare të deputetëve. Në të kaluarën ka pasur një praktikë të mirë të votimit të marrëveshje ndërkombëtare. Nuk e di se si mendojë të bëjnë këtë. Marrëveshjet kërkojnë 2/3 e votave. Tash i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, ndër to është linja hekurudhore 10, e dyta është ngrohja qendre e Prishtinës dhe e treta është rrjeti energjetik, apo investimi i Qeverisë gjermane për KOSTT-in. Këtu nuk kemi asgjë politike në kushte normale nuk do të duhej të kishte mospajtim. Kemi vërejtur një tendencë nga opozita, nuk i votojnë pa dhënë ndonjë arsye pse nuk i votojnë”, ka shtuar ai./eo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *