Policia sllovake ka gjobitur një burrë që ka vënë një qen në prehër gjatë vozitjes, gjë që në video duket krejt e pazakontë, sikur qeni po drejtonte veturën.
Policia në fshatin Sterusy, në verilindje të Bratislavës, nuk mund t’u besonte syve kur gjatë matjes së shpejtësisë, hasi në një pamje të pazakontë, një qen gjuetie ngjyrë kafe, i ulur i bindur pas timonit të një Skoda.
“Zoti qen, ju po vozitni shumë shpejt në fshat, ju lutemi patentë shoferin tuaj. Unë nuk e kam – Atëherë do të paguani, a keni para? – Unë nuk kam. Çfarë keni? – Asgjë”, policia sllovake ka shkruar me shaka me foton që e ka publikuar në Facebook.
Burri i papërgjegjshëm kishte shumë për të shpjeguar në polici. Jo vetëm pse ai po ngiste shumë shpejt, por edhe pse qeni i tij ishte në timon.
Pronari i veturës këmbënguli që kafsha e përkëdhelur u hodh papritur në krahët e tij. Por, policia nuk e besoi, pasi – duke gjykuar nga video – nuk kishte asnjë lëvizje të papritur në veturë.
Policia tha se drejtuesi i mjetit është dënuar me gjobë, por nuk ka sqaruar nëse është gjobitur për shpejtësi tej normave të lejuara apo për mossigurim të kafshës shtëpiake në një mjet në lëvizje.
Ata gjithashtu u kërkuan shoferëve që të sigurojnë kafshët e tyre shtëpiake gjatë vozitjes. Edhe një kafshë e vogël gjatë vozitjes mund të rrezikojë jetën tuaj, paralajmëroi policia.