Kurti: Protesta studentore e 1 tetorit 1997, theu një heshtje dhe frikë të gjatë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar protestën e 1 tetorit 1997, një revoltim studentor kundër pushtuesit serb.

Kuti ka thënë se ”Protesta studentore e 1 tetorit 1997, theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti“.

Ai ka bërë homazhe te varri i profesor Ejup Statovcit, bashkë me ish-studentë e pjesëmarrës në marshimin për liri.

”Profesor Statovci ishte udhëheqës e prijës bashkë me studentët dhe organizatën e tyre gjithëpërfshirëse, Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës – UPSUP. Studentët, nuk ishin vetëm. Vepra e kontributi i tij i jashtëzakonshëm na frymëzoi të gjithëve. Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme“, ka shkruar Kurti në Facebook.

”Sot përkujtojmë dhe ish rektorin Zenel Kelmendi, i cili ndërroi jetë në gushtin e këtij viti. Ai ishte një udhëheqës i vendosur i Universitetit në vitet e para pas luftës, duke pasuar si rektor punën e profesor Statovcit dhe fuqizuar themelet e Universitetit të Prishtinës.Me 1 tetor 1997, studentët shprehën vullnetin e dëshirën për liri. Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi“.

”Nderim e përulësi për secilin që ka kontribuar, që guxoi e nuk qëndroi duarkryq kundrejt shtypjes, padrejtësisë e okupimit serb“, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *