Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar Grant Shapps, bëri të ditur se rreth 200 trupa britanike në kuadër të misionit të NATO-s do të dërgohen në Kosovë, pas sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
Sipas Shapps, kërkesa u parashtrua nga komandanti amerikan Suprem i NATO-s në Evropë, Christopher G. Cavoli, raporton gazeta britanike Mirror.
“Ka pasur kërkesë nga Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s në Evropë, kështu që unë kam autorizuar vendosjen e një force rezervë strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në madhësi batalioni në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë”, tha Shapps përpara bashkëpartiakëve të tij.
“Në ditët në vijim, qindra ushtarë nga Batalioni i Parë Regjimenti Mbretëror Princesha e Uellsit do t’i bashkohet 400 ushtarakëve britanikë që tashmë janë në Kosovë. E di që ushtarët tanë do ta bëjnë Mbretërinë e Bashkuar krenare”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
“Dislokimi i shpejtë i trupave në Kosovë është demonstrim i fuqishëm i aftësive dhe ekspertizës së pashembullt të forcave tona të armatosura. Ato do t’i shtojnë vlerë të jashtëzakonshme misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, duke ndihmuar në qetësimin e tensioneve në rritje në rajon dhe duke i mbajtur të gjithë popujt të sigurt”, ka thënë më tej sekretari britanik i Mbrojtjes.