Së paku shtatë njerëz kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate në Murcia në juglindje të Spanjës, njoftoi kryetari i këtij qyteti, Jose Ballesta.
Ai shtoi se ekipet e shpëtimi janë ende duke kërkuar njerëz të zhdukur pas shpërthimit të zjarrit.
Zjarri nisi në orët e hershme të së dielës në klubin e natës Teatre në Atalayas, në periferi të qytetit, njoftoi shërbimi emergjent në rrjetin social X.
Në pamjet e publikuara nga shërbimi emergjent shfaqën zjarrfikësit duke tentuar ta shuajnë zjarrin brenda klubit të natës. Zjarri e ka shkatërruar një pjesë të kulmit.
“Numri i të vdekurve brenda klubit të natës në Atalayas ka arritur në shtatë”, tha Jose Ballesta.
“Ndihemi të shkatërruar”, tha ai për televizionin spanjoll 24h, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po i kërkojnë ende personat e raportuar si të zhdukur.
Ai tha se zjarri ishte ndezur rreth orës 6:00 të dielën dhe se zjarri është vënë nën kontroll tani.
Ballesta theksoi se nuk dihet shkaktari i zjarrit dhe se ekipet po punojnë për ta kuptuar këtë.