Data 8 shtator ishte historike për Kosovën në aspektin sportiv pasi u arrit objektivi për të marrë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare për vitin 2030. Me 55 vota pro dhe tetë kundër, Kosova mori të drejtën për organizimin e kësaj ngjarje të madhe sportive, por rruga për të arritur deri tek ky sukses nuk ishte aspak e lehtë.
Në një intervistë për KosovaPress, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka zbuluar prapaskena interesante që nga lindja e idesë për të kandiduar e deri tek triumfi i madh.
“Në kohën kur ishim në Oran të Algjerisë, aty lindi ideja që t’i marrim Lojërat Mesdhetare. E kemi studiuar sa kemi qenë në Oran të Algjerisë gjithë organizimin e atij procesi, kemi pyetur edhe njerëz të cilët kanë qenë të kyçur ne shtetin e Algjerisë për organizimin e garave edhe Lojërave Mesdhetare në atë shtet, i kemi mësuar të gjitha sfidat, problemet që kanë hasur ata gjatë gjithë periudhës edhe kemi menduar që ne mund t’ia dalim… Pastaj filluam lobimin, filluam të bisedojmë më disa njerëz, por ka qenë shumë vështirë sepse Kosova një shtet i ri edhe shumica e shteteve mesdhetare as që e kanë njohur Kosovën, pra 12 shtete të Komitetit Olimpik Mesdhetar nuk e kanë njohur Kosovën, mandej ky problem ishte një sfidë shumë e madhe.”, theksoi Krasniqi.
I pari i KOK-ut zbulon më tutje se u përballën me dy sfida tejet të vështira gjatë kësaj rruge, që ishin përballja me Serbinë dhe ndryshimi i statutit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
“Mandej kemi pasur probleme gjatë rrugës, normal, sidomos me shtetin e Serbisë që dihet se edhe në fund u deklaruar hapur kundër kandidaturës sonë, por pa sukses sepse lobimi ynë ishte shumë i fortë, kështu që probleme ka pasur shumë. Në momentin kur ne ishim në asamble, sfida e madhe kaloi kur ne e kaluam statutin, ne më shumë jemi frikësuar tek statuti sepse lobimi ynë gjatë gjithë kohës ka qenë që të jemi i vetmi kandidat, kjo ka qenë një luftë shumë më e madhe se të gjitha të tjerat, sepse kanë qenë disa shtete që nuk dua t’i përmendi që kanë shpallur kandidaturën, mirëpo me mirëkuptim e me bashkëpunim, kemi arritur që ata të tërhiqen nga kandidatura”, tha Krasniqi.
Krasniqi u shpreh i lumtur që tani do të bëhen investime konkrete në infrastrukturën sportive dhe kjo për shkak se është dhënë garanci nga shteti para Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
“Të gjitha këto që janë folur rreth investimeve infrastrukturore, gjithmonë janë folur, por jo diçka konkrete. Tani, përmes Lojërave Mesdhetare do të bëhen konkrete sepse është dhënë një garanci që këto do të bëhen. Stadiumi kombëtar patjetër që do të bëhet sepse na duhet për hapjen dhe mbylljen solemne të Lojërave Mesdhetare dhe na duhen minimum 30 mijë ulëse. Është kërkesë, kjo është në statutin e Komitetit Olimpik të Lojërave Mesdhetare, nuk mund ta ndryshojmë”, theksoi Krasniqi.
Menjëherë pas lajmit që Kosova fitoi organizimin e Lojërave Mesdhetare u zhvillua një debat mes Ministrisë së Sportit dhe Komunës së Prishtinës mbi atë se kush dha kontribut më të madh në këtë sukses, por kryetari i KOK-ut ka një përgjigje për këtë debat.
“Ky është një interes kombëtar dhe meritat i ka gjithë ky popull. Meritat i ka Majlinda Kelmendi, Distria, Nora, Toni, garuesit e tjerë, sportistët e tjerë nga boksi, karateja e të gjitha sportet e tjera që na kanë dhënë motiv ne që të punojmë në këtë drejtim sepse po të mos kishim motivim nga këta sportistë që po na bëjnë krenarë, ne ndoshta nuk do të hynim në këtë punë fare. Kështu që meritat po ua lëmë të gjithëve, nuk ka nevojë t’i ndajmë, me rëndësi është që është arritur një fitore shumë e madhe për të gjithë popullin e Kosovës. Unë personalisht si kryetar i Komitetit Olimpik që gjatë asaj periudhe i kemi sjellë një gëzim popullit të Kosovës”, tha Krasniqi.
Në fund Krasniqi bëri të ditur se një fokus të veçantë para Lojërave Mesdhetarë do t’i kushtohet sportit të futsallit pasi shihet si një prej sporteve me kapacitete të mëdha për t’u zhvilluar në Kosovë dhe që Kosova të përfaqësohet sa më mirë në futsall në këto lojëra në vitin 2030.