Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat Administrative të Tregut të Punës për muajin gusht 2023.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, në muajin gusht 2023, të punësuar me pagë primare ishin 370 115 persona, ku krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Gusht 2022, që ishin 360 164), ka rritje për 9 951 persona, ose 2,8% të punësuar me pagë primare. Grup-mosha me më së shumti të punësuar me pagë primare ishte 25-34 vjeç.
“Në muajin gusht 2023, të punësuar me pagë sekondare ishin 17 046 persona, ku krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Gusht 2022, që ishin 15 851), ka rritje për 1 195 persona ose 7,5% të punësuar. Grup-mosha me më së shumti të punësuar me pagë sekondare ishte 35-44 vjeç”, thuhet në njoftim.
Punësimi më i theksuar për muajin gusht ishte në këto aktivitete: Administratë publike dhe mbrojtje, sigurim i detyrueshëm social (24,5%); Tregti me shumicë dhe pakicë (20,7%); Prodhim (10,8%), etj.
Këto të dhëna bazohen në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK).