Analisti Edward Joseph tha se sulmet e së dielës në veri të Kosovës mund të shkonin edhe më keq.
Kur tha këtë, analisti u bazua në armatimet e terroristëve serb që madje kishin dhe shenja ku lexonte KFOR mbi armë.
“Ne kemi parë prova dhe është e frikshme se sa shumë armatime kishin me vete sulmuesit serbë. Kishin madje dhe shenja të cilat lexonin KFOR mbi armatimet e tyre. Mesa duket ata ishin duke u përpjekur ose do të ndërmerrnin ndonjë sulm edhe më të tmerrshëm” – u shpreh Joseph në një intervistë për Euronews Albania.
Ndërkaq, sipas tij, sulmet duhen hetuar nën mbikëqyrjen e NATO-s.
“Çdo gjë që lidh sulmuesit me Listën Serbe është një lidhje me qeverinë e Beogradit. Për këtë zhvillim shumë serioz dua të them se ajo që Borrell e quajti agresion terrorist dhe ajo që tha Hovenier se ka qenë një plan për të destabilizuar rajonin duhet të ketë një hetim të udhëhequr nga NATO për të zbuluar të gjitha faktet për këtë ngjarje” – u shpreh Joseph.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet e Kosovës.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.